Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur në Vushtrri, ku zyrtarët policor sipas një video të publikuar, shihen duke përdor dhunë ndaj dy femrave.
“Një polic dhe një police, derisa ishin duke patrulluar të martën pasdite në Vushtrri, kishin vërejtur një veturë që ishte ndalur dhe për shkak të bllokadës së rrugës kanë kërkuar që vetura të largohet. Dy femra kosovare dhunshëm kanë reaguar ndaj zyrtarëve policor dhe të njëjtat kanë refuzuar të identifikohen”, thuhet në njoftimin e policisë.
Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar një hetim sipas detyrës zyrtare pas publikimit të video-incizimi me dyshim për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë.
Hetuesit e IPK-së pas publikimit të videos në medie janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast që kanë përfshirë marrjen e deklaratave si dhe sigurimin e disa video incizimeve.
Pas disa veprimeve hetimore fillestare, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një zyrtare policore dhe një rreshter policor) që janë përfshirë në këtë incident.
Në konsultim me prokurorin kompetent për këtë rast do të zhvillohet një hetim në procedurë të rregullt me dyshimin se zyrtarët policorë të stacionit policor të Vushtrrisë kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.