Zëdhënës i Parlamentit Europian, Ojamo Janne, në një prononcim ka folur rreth legjislacionit për liberalizimin e vizave.
Janne ka thënë se nga ana e Kuvendit, legjislacioni për liberalizimin e vizave është punë e kryer, nga të dyja institucionet pra Parlamenti dhe Këshilli.
“Nga ana e Kuvendit, legjislacioni për liberalizimin e vizave është një punë e kryer, e miratuar nga të dyja institucionet (Parlamenti dhe Këshilli)”, tha Janne.
Tutje Janne thotë se marrëveshjet e vizave përmbajnë klauzola pezullimi, të cilat mund të aktivizohen nga Kosmisioni ose një shtet anëtar.
“Thënë kështu, marrëveshjet e vizave përmbajnë klauzola pezullimi, të cilat mund të aktivizohen nga Komisioni ose një shtet anëtar”, u shpreh ai.
Kujtojmë se Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar të hënën se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.
Duke folur më 28 gusht në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris, Macron tha se nga Kosova dhe Serbia pritet angazhim i qartë në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës në mënyrë paqësore.
“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron.
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan më 30 nëntor të vitit të kaluar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.