Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se sa më herët të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare do të jetë më mirë për vendin. Madje VV-ja ka propozuar se zgjedhjet të mbahen në mesin e qershorit, pavarësisht se vendi ndodhet ende i prekur nga pandemia COVID-19.
Se sa është i gatshëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të organizojë proces zgjedhor në kohë pandemie, IndeksOnline ka marr përgjigje nga zyrtarët kompetentë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm kushtetues që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që i kërkohet. Sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore. Ndërkaq, lidhur me situatën specifike në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, ne nuk mund të japim një përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve pasi janë institucionet tjera përkatëse dhe profesionale që e kanë fushë të përgjegjësisë së tyre”, ka deklaruar për IndeksOnline, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Ndërsa sa i përket proces për zgjedhjen e kryetarit të Komunës së Podujevës, KQZ thotë: Siç e dini, më 14 mars Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar nga Presidenti i Republikës shtyrjen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës për shkak se në të njëjtën ditë kemi pranuar rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës që të pezullohen përkohësisht zjedhjet e 15 marsit në këtë komunë për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Republikën e Kosovës. Menjëherë pas vendimit të Presidentit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për ndërprerjen e zbatimit të planit operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Prandaj, edhe për këtë çështje, përgjigjja e KQZ-së është e njëjtë, si më lartë./IndeksOnline/