Një banesë ka marrë flakë pasditen e së enjtes në Fushë Kosovë, ku si pasojë një femër është lënduar.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 16:00, policia është njoftuar për një zjarr në një banesë, në rrugën “Besa Besë” në Fushë Kosovë. Bazuar në të dhënat nga vendi i ngjarjes, një person (femër), është lënduar, dhe e njëjta është dërguar për trajtim mjekësor”, tha Ahmeti.
Tutje, ajo njoftoi se zjarri është lokalizuar nga ana e zjarrfikësve, ndërkohë që policia ka nisur një hetim për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të këtij rasti.