Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.
Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe së fundmi në Vitomiricë të Pejës, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se i dyshuari 20-vjeçar e ka sulmuar fizikisht nënën e tj, duke i shkaktuar lëndime trupore, por edhe shqetësim e frikë të madhe.
Kjo ka bërë që viktima ta njoftojë Policinë dhe si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar për kapjen e të dyshuarit.
Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, i riu është intervistuar dhe ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim dhe inicimin e rastit si “Dhunë në familje”.