fbpx

22 vjet nga masakra në Gjakovë dhe Lybeniq të Pejës

nga Revista Kosovarja

Mbi 60 shqiptarë të lagjes së I-rë në Gjakovë janë masakruar nga forcat serbe, në mesnatën e 1 dhe 2 prillit të vitit 1999.

Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Flaka që dilte nga shtëpia e familjes Vejsa tronditi të gjithë banorët e qytetit. Krismat e automatikëve nuk kishin të ndalur. Shtëpia digjej bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë.

Njëzetë vetë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzimit u ngjitën në qiell bashkë me flakën që dogji trupat e tyre për ta sjellë dritën e lirisë.

Nga ana tjetër u vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë edhe të katër anëtarët e familjes Cana dhe katër nga familja Gërçari.

Ndërsa po në këtë vit, më 1 prill, në fshatin Lubeniq të Pejës në orët e hershme të mëngjesit, formacionet ushtarake, policore, militare dhe paramilitare e kishin rrethuar në të gjitha anët këtë fshat i cili shtrihet rrëzë Alpeve Shqiptare dhe në mes të fshatit Raushiq dhe Strellc, ku vranë shumë persona.

Me rastin e 22-vjetorit të masakrës në Lybeniq të Pejës homazhe sot do të bëjnë ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës Glauk Konjufca, në orën 12:50 dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj në orën 12:00.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]