[email protected]ja-ks.com
[email protected]
Tel: +38338517575 – MOB: +38344143448;

Revista Kosovarja është revista më jetëgjatë në Kosovë. Filloi të botohej në vitin 1971.

Selia e saj ishte në barakat e revistave afër Stadiumit të qytetit. Pastaj, selia kaloi në Pallatin e Shtypit në Prishtinë. Ishte organ i Lidhjes së Grave të Kosovës. Deri në vitin 1994 ishte revistë që doli një herë në muaj, kurse nga ky vit e përdyjavshme. Në periudhën e okupimit serb në Kosovë, me ndaljen e të vetmes gazetë të përditshme “Rilindja”, Kosovarja bashkë me disa revista të tjera u botua edhe si gazetë ditore.

Në vitin 1992 Kosovaren dhe revistat e tjera i larguan nga Pallati i Shtypit. Një kohë punëtorët mbetën në rrugë. Në vitin 1994, me kërkesën e disa individëve në Zvicër, filloi botimi i Kosovares së pari në Diasporë, e në ndërkohë edhe në Kosovë, edhe pse nuk mungonin kërcënimet e pushtetit serb. Tirazhi i saj në këtë kohë sa vinte e shtohej, e që ishte edhe nxitje për botimin e saj edhe më me përkushtim, pavarësisht rrethanave të okupimit.

Kosovarja ishte, njëherësh, edhe abetare dhe përcjellëse e të gjitha ngjarjeve që ndodhën në vend para lufte. Me shkrime përcolli të gjitha ngjarjet që ndodhnin në terren, duke përfshirë këtu edhe intervista të ndryshme me komandantë dhe ushtarë të UCK-së dhe popullatën që ishte në flakën e luftës. Vlen të përmendet se Kosovarja pas masakrës në familjen Jashari në Prekaz, botoi fotoset e para të komandantit Adem Jashari dhe të anëtarëve të familjes së tij, ku, me ç’rast, është veçuar posteri i Adem Jasharit, me të cilin dilnin në protesta e demonstrata shqiptarët kudo në Kosovë dhe në Diasporë.

As gjatë luftës Kosovarja nuk pushoi. Ajo me një pjesë të Redaksisë, gjatë qëndrimit të tyre në Shkup, përgatitën dhe e botuan Kosovaren, e cila shpërndahej në Diasporë dhe në Maqedoni.

Pas lufte Redaksia e Kosovares u kthyen përsëri në Pallatin e Shtypit në Prishtinë dhe vazhduan punën e tyre. Në vitin 2001 Kosovarja u privatizua dhe punon si revistë plotësisht e pavarur. Ndërkohë, Pallati u mbyll për të gjitha mediumet, kështu që punëtorët e Kosovares mbetën përsëri në rrugë, e që u imponua të gjejnë lokal me qira, ku veprojnë edhe tash.