Përfshirja e Francës në një kasaphanë terroriste, ku u prehet koka njerëzve të pafajshëm, është tregues i qartë se bota po përfshihet në një luftë të pazakontë fetare, shkruan “Kosovarja”.
Nuk është justifikim botimi i karikaturave të profetit Muhamed për të kryer krime mizore te njerëzit që nuk bartin asnjë përgjegjësi për mediet satirike në Francë dhe askund tjetër.
Interpretuesit e Kuranit dhe të Islamit mund të flasin, vazhdimisht, rreth fakteve se si Kurani flet kundër dhunës dhe akteve terroriste dhe nuk ka të bëjë asgjë me radikalizmin.
Shumë shtete të botës islame e kanë dënuar rëndë aktin terrorist të një tuniziani, e që ia ka hapur derën shteti francez për të jetuar i lirë, ndërkohë që ai i ka terrorizuar francezët gjatë një ceremonie të lutjeve në Katedralen “Notre Dame” në Nicë.
E, aktet terroriste me bazë fetare, ku radikalistët islamë, siç ndodhi në Nicë, presin koka të njerëzve të pafajshëm, e bëjnë botën aktuale më të pasigurt se kurrë më parë.
Sot, kur bota po e përjeton valën e dytë të pandemisë covid-19 dhe kur mijëra njerëz po e humbin betejën me koronavirusin, botës i është shtuar edhe një luftë me virusin e padukshëm, e që rrezikon të shtrihet për ta përulur njerëzimin deri në dalje të vaksinës adekuate, e që duket se është shumë larg…
Po ashtu, është me rëndësi të thuhet se bota është duke jetuar edhe nën frikën e konfliktit turko-grek, prej nga mund të shpërthejë një luftë përmasash të gjëra, siç po ndodhë edhe në konfrontimin luftarak Armeni-Azerbejxhan.
Prandaj, sot, kur bota duhet të jetë më e bashkuar se kurrë më parë për ta luftuar një armik të padukshëm pandemik, masakrimi i civilëve të pafajshëm në Francë dhe kudo tjetër, meriton dënimin më të rëndë.
Sepse, konfliktet fetare në botë sjellin urrejtje të pashërueshme botërore. Andaj, bota duhet të shprehë respektin për të gjitha pikëpamjet fetare, duke i shikuar si të drejta të pamohueshme të çdo njeriu.
Pra, bota duhet t’i qërojë hesapet me çdo burim që sjell urrejtje ndërfetare. Sepse, krimi si ai në Nicë të Francës ka tmerruar njerëzimin dhe terrorizmi duhet të merr goditjen e të gjithëve. S. K. /Kosovarja/