Janë tri femra të forta, të bukura, ambicioze. Ato e kanë jetësuar thënien e famshme “Bashkimi bën fuqinë”. Mila, Arta dhe Bea e kanë formuar “Beauty Sisters”-in. Ato kanë hapur sallonin e tyre të bukurisë në Zvicër, ku ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh ekskluzive nga fusha e bukurisë, estetikes dhe kozmetikes medicinale. Motrat me origjinë nga Maqedonia, por të lindura e të rritura në Grac të Austrisë, kanë një histori suksesi për të na rrëfyer në “Kosovare”…
Jeni tri motra të suksesshme dhe të bukura. Mund të na prezantoheni secila me nga pak fjalë?
Mila: – Jam e martuar dhe i kam dy vajza. Jetoj në Zvicër qe 19 vjet. Si 15-vjeçare kam nisur zanatin në profilin e kozmetikës. Pas një pauze të gjatë jam rikthyer në profesionin tim të vjetër me një refresh me shkollim e seminare, që i kam kryer në Cyrih, në Kompaninë “Sgmk Schweizerische Gesellschaft für Medizinische Kosmetik”. Dhe, kështu, iu ofrova më shumë kozmetikës medicinale sesa kozmetikës klasike.
Arta: – Jam 30 vjeçe, e martuar, e kam një fëmijë. Kam diplomuar në Zvicër për tretmane kundër celulitit dhe për depilime. Kujdesem, gjithashtu, për kontabilitetin dhe marketingun e firmës, për çka jam shkolluar në Austri.
Bekimja: – Quhem Bekime, por më thërrasin Bea. Jam 28 vjeçe, e martuar, nënë. Shkollën e kozmetikës e kam kryer në Cyrih dhe certifikatat për profile të tjera të kësaj fushe i kam marrë, gjithashtu, në Zvicër. Punën time e bëj me shumë pasion dhe kam kënaqësi të veçantë kur merrem me make-up. Kam punuar make-up artiste në evenimente të ndryshme, si “Miss Zvicra”, Rosenbergball, Hoteli “Dolder Grand” në Cyrih, e shumë vende të tjera.
Pse keni vendosur ta quani sallonin tuaj “Beauty Sisters”?
Mila, Arta, Bea: – Sepse, ky emër na përshkruan më së miri. Jemi tri motra, e që mundohemi të bëjmë gjëra të bukura dhe profesionale, sepse i kemi ngjarë mamit.
Keni pasur prej kohësh idenë për të hapur një biznes të përbashkët?
Mila, Arta: – Jemi rritur duke parë zhvillimin dhe ecurinë e bizneseve familjare, e kjo ishte një ëndërr e neve, motrave, që tashmë e kemi bërë realitet, po e jetojmë.
“Bashkimi bën fuqinë”. Pas një viti përvojë, jeni dakord me këtë thënie?
Bea: – Po, absolutisht, sepse energjinë dhe fuqinë ia japim çdo ditë njëra-tjetrës.
“Beauty Sisters” ka bërë një vit punë dhe ju jeni bërë shumë të njohura. A e keni pritur këtë sukses?
Mila: – Puna dhe kualiteti ekskluziv që u ofrojmë klienteve na ka bërë të njohura. Punën tonë e bëjmë me profesionalizëm, meqë të gjitha jemi shkolluar mirë në profilet tona, por edhe me shumë pasion, dashuri e korrektësi.
A është sfiduese që si femra të udhëhiqni një biznes si ky juaji?
Mila & Bea: – Jemi shumë me fat që e kemi Artën, meqë ka prirje të madhe për biznes dhe na e lehtëson punën shumë.
Cila është formula e suksesit, që ka bërë të funksiononi mirë?
Arta: – Thjesht, mjafton ta duash punën. E, ne, punën e bëjmë mirë, ashtu si duhet. Profesionalizmin e kemi formulë suksesi çdo ditë dhe me çdo kliente.
Cilat janë shërbimet që i kryeni më së shumti?
Mila: – Trajtimet më të preferuara nga klientet tona janë Dermal Filler, modelimi i buzëve dhe i hundës, si dhe shumë të tjera.
Bea: – Gjithashtu, zgjatja e qerpikëve është një trend i madh për momentin.
Po, shërbimi më ekskluziv që ofroni?
Mila: – Është një trajtim fytyre që është një piling kimikal (Peeling chemikal), që e ka emrin PRX-T33.
Si ndihen femrat pasi të dalin nga salloni juaj?
Mila, Arta, Bea: – Klientet tona vijnë të bukura, por dalin nga salloni ynë edhe më të bukura, më të relaksuara dhe me plot energji.
Urimi ose komplimenti më i mirë që keni marrë gjatë kësaj periudhe?
Mila, Arta, Bea: – Kemi shumë reaksione pozitive, sidomos kur ua japim pasqyrën në dorë klienteve tona. Ka raste kur edhe u dalin lotët nga emocionet, meqë habiten me rezultatet tona. E, reagimi i tyre spontan është komplimenti më i madh që mund të na bëjnë.
Mila: – Nuk e harrojmë një kliente, që kishte trajtimin e nofullës që quhet Jaw Line. Rezultati përfundimtar i këtij trajtimi mund të shihet pas 2 javësh. Ajo na shkroi një mesazh shumë emocional, meqë nuk mund të besonte në atë që shihte në pasqyrë. Thoshte se ia kemi ndryshuar jetën…
Arta: – Një kliente tjetër kishte trajtimin Vacuslim, e që është një trajtim kundër celulitit. Klientja na shkroi se tani ka vetëbesim dhe mund të vesh pantallona të shkurtër dhe se i ishte gëzuar shpirti…
Bea: – Një nuse pas dasmës na shkroi se kur burri i saj e sheh atë me grim e fustan të bardhë, shpërthen në lot, i befasuar me bukurinë e saj…
Cilat janë më të shpeshta klientet tuaja: femrat shqiptare apo të nacionaliteteve të ndryshme?
Mila: – Janë të kombësive të ndryshme. Puna jonë ka pasur mjaft influencë, andaj kanë ardhur edhe të famshmet. Kjo është ajo që edhe na bën krenare.
Keni mbështetjen e familjes?
Mila, Arta, Bea: – Po, madje shumë. Falënderimi më i madh u takon bashkëshortëve tanë, e që mundohen të na ndihmojnë në çdo rast dhe t’na motivojnë sa herë që lodhemi.
A keni kohë për jetën private, angazhimet familjare?
Mila, Arta, Bea: – Momentalisht jemi shumë të angazhuara me punë dhe angazhimet familjare, fatkeqësisht, kanë kaluar në rend të dytë.
Por, gjithsesi, mundohemi të ndajmë kohë edhe për familjet tona, e që janë tejet me rëndësi.
A mund të vijë “Beauty Sisters” edhe në Kosovë?
Mila, Arta, Bea: – Po, pse jo. Ne do jemi aty ku na kërkon klientela. Së shpejti mendojmë ta bëjmë një turne në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, në bashkëpunim me disa sallone të vendit.
Planet tuaja për të ardhmen?
Arta: – Ta kalojmë këtë kohë të vështirë të pandemisë shëndosh e mirë.
Për fund?
Mila, Arta, Bea: – Të gjitha femrat, qofshin ato nga Maqedonia, Kosova a Shqipëria, nëse keni një ëndërr, mos e lejoni askënd t’ua largojë! Të besoni në veten tuaj se edhe femra shqiptare mund të arrijë shumë.
Po ashtu, nëse keni një shans para vetes -shfrytëzojeni dhe realizoni idenë tuaj të biznesit!
Gjithashtu, u falënderojmë shumë për intervistën dhe përkrahjen që na bëni!
Vendndodhja e “Beauty Sisters”?
– “Beauty Sisters” gjendet në një vend shumë ekskluziv, afër liqenit am Bodensee, ku janë 3 Sky Towers.
Rorschach
Stadtwald 5
9400 Rorschach
N. Neziri