Nuk do të donte askush, me siguri, të flisnim me gjuhën e përrallave për gjërat e lumturisë së kaluar, shkruan “Kosovarja”.
E krijuam Republikën ashtu si mundëm. Por, kanë ardhur punët keq. Shtetin e kemi në rrezik. Kush sheh përtej hundës, gjërat po rrëshqasin në greminë.
Në Hagë po gjykohen krerët UÇK-së, që neve po na dhimbsen realisht, sepse luftuan hakikat kundër Serbisë.
Por, ia lëmë kohës këtë punë dhe të kthehemi pak te politika, që na solli në mjerim, në këtë gjendje siç jemi…
E pat në televizor si shkoi Ramushi në PDK, për t’u solidarizuar me gjendjen faktike të PDK-së, krerët e së cilës u arrestuan nga Haga.
Kjo i bie se Ramushi shkoi kinse për t’u dhënë zemër atyre në PDK, por kjo po vlerësohet si një përulje për ta marrë votën e PDK-së për president.
Madje, në televizione u pa haptazi se si Ramush Haradinaj e kërkonte votën në emër të popullit!
Pra, është befasuese të dëgjohet një qasje e tillë në formë pazari për postin e presidentit, në këtë kohë kur shteti është në krizë të thellë institucionale.
Ai tha se i paska thënë PDK-së t’i japin mbështetje për president, e më vonë ky do ua kthejë me votën e AAK-së.
Sidoqoftë, nuk besoj se PDK-ja mund t’i detyrojë të gjithë deputetët ta votojnë Ramushin për president të vendit…
Andaj, teksa e dëgjoja Ramushin se si kërkonte vota për t’u bërë president, e shteti është në rrezik të falimentojë, shkaku i mos miratimit të asnjë ligji në Kuvend, nuk kemi si të mos çuditemi se si është e mundur që Ramush Haradinaj të këmbëngulë për president të vendit!
Në anën tjetër, Glauk Konjufca, si në odë, te Fidani, flet në favor të partisë së vet se është mirë që nën petkun e VV-së të formohet një qeveri e re gjithëpërfshirëse e Kosovës.
Po ashtu, Fidan Jupolli tallet me figurat e njerëzve që janë padrejtësisht në Hagë, duke folur çka do vetë në emër të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, por vetëm Albin Kurtin kinse nuk po mund ta emitojë!
Dikush tjetër kërkon pezullim të dialogut me Serbinë, dikush kërkon të mbahen bisedimet dhe të vazhdohet trendi i bisedimeve me Beogradin. Pra, askujt nuk i prenë sëpata në një vend!
Shtrohet pyetja: Çka po ndodhë me politikanët tanë dhe nga po e qojnë shtetin, të cilin e kanë dërguar deri në breg të humnerës?
Sidoqoftë, populli i Kosovës shpresat i ka te Amerika dhe me ardhjen Bajdenit në pushtet, shpresat për ta shpëtuar shtetin e Kosovës nga falimentimi na mbajnë gjallë.
Sot, e që është pritur të merren disa vendime në Kuvend në dobi të popullit të Kosovës, ndër të cilët ai për rimëkëmbjen ekonomike në kohë pandemie, deputetët e PDK-së dalin me deklaratë çoroditëse se pezullojnë pjesëmarrjen në Kuvend në kohëzgjatje prej një jave, në shenjë solidarizimi me të arrestuarit nga Haga!
Pra, siç shihet, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë bërë si foleja e qyqes. Secili zog i qyqes, posa të rritet, fluturon kah do vetë!
Andaj, falë deptetëve tanë të papërgjegjshëm, Kosova ka ardhur në këtë derexhe që e kemi sot… Safet Krivaça /Kosovarja/