Kërcënimi i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq me një luftë të re në Kosovë, i ka kthyer partitë politike në tokë, për të kuptuar se në Kosovë nuk ka përfunduar ende asgjë.
Përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, gjendja në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë në përgjithësi nuk do të jetë stabile .
Disa zëra të mendësisë politike që vinë nga qarqe të ndryshme partiake, po përmendin edhe dëshirën e një qeverie të shpëtimit kombëtar, gjë që do të paralajmëronte edhe më shumë rrezik sesa që kemi realisht.
Pse Kosova nuk duhet të shkojë në opsion për një qeveri të shpëtimit kombëtar:?
Kosova është nën mbrojtjen tokësore dhe ajrore të NATO-s, e cila as që u mor me deklaratat e Vuciqit bërë para shteteve të QUINT-it.
Republika e Kosovës, është zyrtarisht nën rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila garanton paprekshmërinë territoriale nga Serbia dhe kushdo qoftë tjetër.
Republika e Kosovës ka qeverinë dhe institucionet e shtetit, të cilat i përgjigjen kushtetutës së shtetit që duhet të zbatohet në përpikëri nga zyrtarët dhe të gjithë shtetasit e Kosovës.
Republika e Kosovës, ka ushtrinë e saj FSK-në dhe Policinë e Kosovës si forca të cilat mund t’i bashkohen NATO-s për mbrojtjen e vendit.
Republika e Kosovës , ka marrë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të drejtën e shpalljes së pavarësisë së shtetit dhe ky vendim i jep garanci ekzistuese shtetësisë së Kosovës, mjaftueshëm sa për ta pasur përkrahjen ndërkombëtare në siguri.
Partitë politike, duhet të ofrohen rreth kësaj qeverie dhe Qeveria Hoti duhet t’ i hap dyert për t’u dhënë kompetenca të gjithë atyre që hyjnë në qeveri.
Partitë politike duhet të merren vesh ta zgjedhin presidentin e shtetit në afat sa më të shpejtë dhe kështu ta kompletojnë
pozitën aktualisht vakante me presidentin si komandant suprem i forcave të armatosura të Republikës së Kosovës.
Partitë e kanë në dorën e tyre që t’i japin fuqi shtetit duke i koordinuar rolet institucionale për veprim në harmoni me nevojat e shtetit.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me institucionet, duhet të kuptohet nëse duhet formuar një shtab ekspertësh për mbrojtje të krerëve të UCK-së të arrestuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Vendi ka nevojë të infuzionohet qeveria Hoti me dy partitë e mëdha VV-në dhe PDK-në për ta kaluar krizën e krijuar pas arrestimeve në Hagë dhe të pandemisë covid-19. / Safet Krivaca/ Kosovarja /