Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka kujtuar lirimin e tij nga Tribunali Penal Ndërkombëtar i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.
Haradinaj ka shkruar se para tetë vjetësh për herë të dytë ishte dëshmuar pastërtia e luftës së UÇK-së.
“Tetë vite më parë u dëshmua për të dytën herë pastërtia e luftës së UÇK-së, e imja dhe bashkëluftëtarëve të mi”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se beson edhe në pafajësinë e ish-bashkëluftëtarëve të tij që aktualisht gjenden në paraburgimin e Gjykatës Speciale, të akuzuar për kirme lufte.
“Populli i Kosovës pas gati një shekull dhune sistematike, kapi pushkët në mbrojtje të jetës dhe tokës së tij. Pastërtia e luftës së UÇK-së, mori përkrahjen e mbarë botës demokratike në krye me NATO-n. Andaj, besoj në pafajësinë edhe të bashkëluftëtarëve që sot përballen me sfidën e radhës në Hagë. Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen. Historia shkruhet vetëm një herë!”, ka shkruar Haradinaj.