Infektologu, Valbon Krasniqi ka dhënë detaje për gjendjen me të infektuarit me koronavirus në Klinikën Infektive në Kosovë.
Krasniqi ka folur edhe për gjendjen e 40 vjeçares shtatzënë nga Gjakova, që ndërroi jetë sot nga koronavirusi.
“Ajo ka ardhur në Klinikë me datën 15. Prej momentit që ka ardhur ka qenë në gjendje kritike. Për pesë ditë ajo ka qenë në përcjellje të plotë nga infektologët. Krahas kësaj kanë qenë në konsultime të vazhdueshme edhe specialistët e gjinekologjisë”, ka thënë Krasniqi.
Ai nuk ka dhënë detaje shtesë nëse e njëjta ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese, pasi që sipas tij rasti është shumë i ndjeshëm.
“Është rasti i parë fatal i një gruaje shtatzënë në Kosovë. Është rast i ndjeshëm dhe nuk mund të jipen detaje të tjera. Jo vetëm personat që humbin jetën nga ky infeksion, por sa herë që lirojmë pacientët, bëhet dezinfektimi i hapësirave ku kanë qëndruar këta pacientë. Dezinfektimi është një nga masat kryesore”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, Krasniqi ka thënë se janë edhe tetë pacientë të cilët po presin rezultatet për koronavirus.
“Ne po presim, ju e dini që mbrëmë kishim edhe infermieren e 5-të të shëruar nga koronavirusi. Po ashtu, edhe kolegët e tjerë nga klinikat tjerë e gjinekologjisë dhe emergjencës rezultuan negativ. Kemi pacientë që dje kanë rezultuar negative për të parë, dhe sot do të jetë testi i dytë. Kemi 8 pacientë që kanë ardhur në orët e mbrëmjes dhe të paradites. Ne flasim me dokumentet zyrtare që kemi në dispozcion”, ka thënë Krasniqi.