Zëvendëskryeministri në detyrë Haki Abazi në DPT me Fidanin ka mohuar deklaratën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, se VV i ka dërgu njerëz për të lidhur koalicion.
Derisa ai tha se momentalisht qeveria Kurti është e fokusuar në menaxhimin e pandemisë.
“Jo, mendoj që qeveria Kurti është e fokusuar në menaxhimin e pandemisë. Sot ishte një ditë e rëndë, e kemi pas një vdekje të një nëne të re shtatzënë. Sinqerisht e gjithë energjia është e fokusuar që të jemi me qytetarin dhe në përkrahje të atyre që kanë nevojë.
S’ka asnjë orkestrim politik që ta bëj tërheqjen e fokusit të qeverisë. Është një situatë e krijuar pas mocionit që ka qenë kulmi i një skenari që nga fitorja e VV-së, e që po del të jetë fytyra e vërtetë e kapjes së shtetit”, tha ai, transmeton Indeksonline.
Abazi tutje shtoi se këtu po qartësohet edhe fotografia e mungesës së forcave politike përveç VV-së, që s’mund ta rrëzojë vullnetin e qytetarit.
“Po përdorim çdo mjet të mundshëm për ta mbajtur shtetin e Kapur. Kemi dy anë, VV-në me qytetarët dhe kemi ata që po bëjnë çdo gjë nëntokë dhe mbitokë që ky vullnet të mos jetë ai i 6 tetorit.
Edhe kryeministri e ka thënë se është e përcaktuar që VV s’ka asnjë intencë për të bërë koalicion me PDK-në.
Besimi se mund të ketë njerëz që mund të tentojnë për të diskutuar, mund të jenë opinionistë, gazetarë që ndoshta kanë dhënë ide për të dalur nga situata e krijuar. Po, absolutisht s’kemi çu njerëz tek Veseli. Po të ishte ashtu Kurti do të kishte një arsye të plotë. Nuk e di deri më sot që VV ka bërë diçka që s’është bërë publike”./Indeksonline