fbpx

S’ka analistë të pavarur, të gjithë janë të porositur!

nga Revista Kosovarja

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit ka hyrë në një fazë kritike të ashpërsisë, fyerjeve dhe zënkave në debate televizive, shkruan “Kosovarja”.

Pak apo aspak analistë të pavarur mund të gjejmë në debate televizive që i shohim çdo natë. Shumica prej tyre paguhen prej partive politike për anim, ndërkohë që shiten si analistë të pavarur.

I ashtuquajturi aktivist i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, është më i ekspozuari pro “Vetëvendosjes”.

Ai pa fije turpi thotë se nuk është në “Vetëvendosje”, kurse çdo gjë që lidhet me interesin e Kurtit e mbron, qoftë edhe duke i ofenduar të tjerët!

Në anën tjetër, Parim Olluri e mbron PDK-në dhe këtë e vëren gjithsecili që i përcjellë ato debate.

Profa, Bujar Dugolli, haptazi shihet se është pro “Vetëvendosjes”. Ai, në debatin e mbrëmshëm, shkoi aq larg në mbrojtje të Albin Kurit, sa ka hyrë në historikun e jetës studentore për të gjetur diçka kundër Ibrahim Rugovës nga një takim me Hollbrukun, me të vetmin qëllim që ta përmirësojë imazhin e Kurtit nga akuzat për antiamerikanizëm.

Profa tjetër, Blerim Latifi, po mundohet të jetë më racional, por edhe te ai shihet se pozicioni i tij është kah PDK-ja, njëjtë si edhe gazetari Valon Syla.

Në emisionin “Debat plus” në TV “Dukagjini”, pos Astrit Gashit, e që i shihet LDK-izmi, të tjerët i sheh shumë qartë pro “Vetëvendosjes”.

Ka edhe të tjerë që nuk dihet pse janë në këto debate, e që veten e quajnë analist, si, bie fjala, Lulzim Zeneli, i cili ka vite e vite që nuk është parë në publik, pastaj Luljeta Aliu, e cila haptas vërehet se është e papërgatitur, madje edhe duke ndërhyrë te opinionistët tjerë, ku edhe ua shkëputë mendimin!

Sidoqoftë, analistët janë pionë të partive politike dhe të porositur për të vepruar pas perdeve propagandistike, si kusht për të marrë ndonjë post nëpër parti në prag të fushatave zgjedhore.

Driton Selmani dikur ishte analist dhe tash dihet se ku është. Edhe Halil Matoshi, po ashtu. Armend Muja, që dikur anonte pro “Vetëvendosjes”, tash është pjesë e “Vetëvendosjes”.

Edhe Faton Abdullahu e Ardian Kastrati, si dhe të tjerë, kanë qenë të porositurit e partive, ndërkaq tash janë në listat e kandidatëve për deputet në partitë e caktuara.

Andaj, habit fakti se shikuesit dhe qytetarët i dëgjojnë dhe i llogaritin si të pavarur, kurse ata dalin krejt ndryshe! Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]