fbpx

A mund të reformohet LDK-ja me kthimin e themeluesve të saj?

nga Revista Kosovarja

Kanë mbetur edhe dy javë që LDK-ja të shihet se kah do të shkojë tutje, shkruan “Kosovarja”.

Se do të ketë shumë punë LDK-ja në të ardhmen, tashmë dihet. Por, ajo që nuk dihet është nëse garda e vjetër e LDK-istëve themelues, do të përfshihet në LDK-në aktuale.

Përfliten emrat e themeluesve, konkretisht të Jusuf Buxhovit, Milazim Krasniqit, si dhe të disa profesorëve që janë tërhequr më herët nga kjo parti, e edhe ai i Hafiz Gagicës, njëri ndër kontribuuesit më të dalluar në Diasporë, për rikthim në LDK.

Por, e tëra varet nga garda e tashme e kësaj partie, nëse anëtarësia aktuale do t’i ftojë themeluesit e saj në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

Këto ditë, madje, ka edhe informacione se nëse LDK-ja nuk do të bëjë reformim të thellë, atëherë një gjë të tillë do e bëjnë paralelisht themeluesit e saj, duke e shndërruar në një LDK të vërtetë vlerash, që kishte kjo parti në kohën e presidentit Ibrahim Rugova.

Kjo do të thotë se themeluesit e LDK-së po e përcjellin se a do të reformohet kjo parti a jo, si dhe nëse në LDK ishte vetëm një reformë kozmetike…

Në të kundërtën, ish-themeluesit kanë lënë të kuptohet se do e bëjnë një LDK të re në frymën e vjetër…

Sidoqoftë, LDK-ja është në rrugë çorientuese dhe është tepër e vështirë që ky rikthim në skenë i kësaj partie do të ndodhë shpejt.

Së pari, do të shihet se çfarë ndryshimesh kanë ndodhur, si dhe kush do merr timonin e kësaj partie?

Dhe, nëse ndodhë reforma, ish-votuesit e kësaj partie, që së fundi kanë votuar për VV-në, do të rikthehen në LDK, pa mëdyshje…

Po ashtu, ka shumë reagime të zyrtarëve nga degët e LDK-së në terren, konkretisht nga Gjilani, por edhe nga ata që e kanë kritikuar shprehjen “Mirëmëngjesi” të Avdullah Hotit, duke e quajtur turp, meqë e ka sjellë LDK-në në situatë që të zbresë në 10% të votave të përgjithshme.

Gjithashtu, njohësit e rrethanave politike thonë se LDK-ja është para një sfide goliatiane “të jesh a të mos jesh” dhe kjo do të varet, kryesisht, nga qasja e LDK-së aktuale në hapje ndaj anëtarësisë dhe ish- themeluesve të saj edhe në Diasporë. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]