Gjatë ditës së sotme do të zhvillohen takimet e para për në mes të partive politike për formimin e institucioneve të Kosovës.
Fituesit e zgjedhjeve, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të presin në takim krerët e PDK-së dhe AAK-së, shkruan Indeksonline.
Kreu i LVV-së e prijësja e Listës “GUXO” kanë kërkuar nga kreu në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj që të takohen sot në ora 11:00.
Hoxhaj dhe PDK-ja kanë pranuar ftesën e rrjedhimisht ky takim do të mbahet në këtë orë sot në Kuvendin e Kosovës.
Një takim dyshja do ta mbajë edhe me Ramush Haradinajn, kreun e AAK-së.
Në konsultë për formimin e institucioneve të reja, Haradinaj, Kurti e Osmani do të takohen sot në ora 13:30.
Një orë e gjysmë më vonë, Haradinaj ka ftuar mbledhje të kryesisë së partisë të cilën ai e udhëheq.
Megjithatë, një takim me Osmanin e Kurtin nuk do ta mbajnë në LDK.
Kryetari i zgjedhur i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku nuk është shprehur i gatshëm që të shihet me liderin e LVV-së dhe Osmanin në ditën e parë të punës si kryetar i Lidhjes Demokratike.
Takimi që ishte thirrur për sot në orën 12:30, sipas Abdixhikut mund të mbahet të premten.
“Tani për shkak të rrethanave të tanishme, gjëja e parë që do ta bëj nesër është që do të dal në zyrat e LDK-së. Unë e falenderoj konstruktivitetin e zonjës Osmani dhe Z. Kurti në lidhje me ftesën. Besoj që kjo është qasja e duhur se si duhet të sillemi, por e kam të pamundur për shkak të konsolidimit të organeve tona dhe konsultave të brendshme. Gjithsesi propozoj të premten si datë për takimin eventual në formatin e njëjtë siç është kërkuar”, ka thënë Abdixhiku dje pasi që me shumicë të votave është emëruar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.