fbpx

Këto janë zhvillimet më të reja rreth koronavirusit në botë

nga Revista Kosovarja

Mbi 720 mijë persona në mbarë botën janë infektuar me koronavirus dhe rreth 34 mijë kanë vdekur. 

Përhapja e sëmundjes së re po vazhdon me shpejtësi të madhe sidomos në disa shtete të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Agjencia “Associated Press” ka raportuar se numri i të vdekurve nga koronavirusi në Nju Jork ka shkuar në mbi një mijë, më pak se një muaj pas regjistrimit të rastit të parë.

Sipas disa parashikimeve, prodhimi ekonomik i Britanisë së Madhe pritet të bie për 15 për qind dhe papunësia të dyfishohet gjatë qerekut të dytë të këtij viti shkaku i pandemisë. Masat për kufizimin e lirisë së lëvizjes mund të zgjasin deri në gjashtë muaj.

Japonia e ka vazhduar masën e ndalimit të hyrjes për personat që vijnë nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Koreja Jugore dhe pjesa më e madhe e Evropës.

Argjentina do të marrë vendim për vazhdimin e afatit të karantinës mbarëkombëtare deri në mesin e muajit prill, shkruan “The Guardian”.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se 200 mijë amerikanë mund të vdesin nga koronavirusi. Dr.Anthony Fauci, ekspert i sëmundjeve ngjitëse, tha se shifra e viktimave mund të jetë mes 100 deri 200 mijë persona.

Ministria e Shëndetësisë e Sirisë e ka konfirmuar vdekjen e parë nga koronavirusi, ndërsa numri i të infektuarve në shtetin e rrënuar nga lufta ka shkuar në nëntë.

Meksika ka kërkuar nga 130 milionë qytetarët e saj që të qëndrojnë në shtëpi për një muaj. Presidenti i këtij shteti më parë është kritikuar për mungesë të masave kundër virusit.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]