Pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar,në Kosovë ka ndryshuar për keq atmosfera politike.
Ajo çka u përket partive, është një lloj gare që nënkupton konkurrencën e tregut dhe njëfarë normaliteti, por ajo çka është tepër keq e që po e ndan shoqërinë shqiptare të Kosovës dhe diasporës, janë kërcënimet militante nëpër rrjetet sociale. Kërcënuesit, duhet të hetohen nga prokuroria e shtetit dhe të ndahet saktë e mirë nëse ata janë vegël e ndonjë grupi apo partie politike?
Gjërat kanë shkuar tepër larg rreth kërcënimeve mes grupeve politike dhe ato kanë arritur deri te nivelet më të larta politike të figurave qendrore, presidenti,kryeministri, ministrat, këshilltarët, liderët e partive dhe kryetarët e komunave. Tash ka filluar edhe një stil i ri kërcënimesh përmes folklorit, në të cilët këngëtarët e këtij zhanri, atë që e këndonin dikur kundër çetnikëve serbë, tash po e këndojnë kundër liderëve shqiptarë.
Militantët e LVV-së para pak ditësh lansuan këngë kundër gjithë strukturës politike ndërpartiake në Kosovë, ndërsa tash një këngëtar tjetër, rapsod i folklorit, përmes një kënge tjetër, u tregon Kurtit, e ish këshilltarit të tij Shkëlzen Gashi, se duhet me ua qëndisë me plumba lulen e ballit.
Nëse prokuroria dhe drejtësia nuk i trajtojnë këto raste madje edhe, si prioritet aktual, gjërat mund të përshkallëzojnë spirale dhune të konflikteve qytetare. Ju kujtojmë se frikë qytetare pati të shtunën kur duhej të formohej qeveria Hoti, tek në Prishtinë mund të niste një protestë që mund të eskalonte në dhunë.
Këto ditê doli publikisht Behxhet Pacolli i cili shpalosi realitetin e kërcënimeve që përfundonin në telefonin e tij për dëme në familje. Deputetë të Kuvendit të Kosovës gjatë seancës së mocionit të mosbesimit, i kërkuan liderit të LVV-së Albin Kurti që t’i ndalin sharjet dhe kërcënimet që vinin nga militantët e LVV-së.
Tashmë atmosfera politike mes militantëve partiakë, është ndezur tepër ashpër me ofendime, sharje,fyerje dhe etiketime që krijojnë dhe nxisin urrejtje ndërpolitike që ka droje se mund të çojnë në një ambient të Shqipërisë të vitit 2007.
Shteti me aparaturat e veta të rendit publik dhe prokurorial , mund t’i ndalin këto akte destruktive që direkët atakojnë paqen në Kosovë.
Kjo atmosferë tensionuese vetëm Serbisë i shkon për shtati. Safet Krivaca./Kosovarja/