‘’Nuk je kurrë mjaftueshëm i rritur për të pranuar vdekjen e një prindi dhe këtë gjë e kuptova kur humba tim atë. Nuk doja ta pranoja që ai s’ishte më, që sëmundja (karcinoma hepatike) kishte zgjedhur pikërisht atë, mirëpo duhej të bëhesha e fortë, pasi pas tij ishte radha ime të përballesha jo me një, por dy tumore që shënjuan përgjithmonë jetën time.”-kështu nis rrëfimin e saj për ”Corriere dellas sera”, Monica Bergantin, historia e së cilës po shpërndahet masivisht në rrjete sociale.
Ishte korriku i 2015-s kur 49 vjeçarja nga Padova vuri re një gungë të fortë poshtë thithkës së majtë. Nuk i kushtoi rëndësi fillimisht, por kur masa filloi të rritej dhe të kullonte qelb e kuptoi se duhet të paraqitej në spital. Mjekët e diagnostikuan me kancer gjiri trillo negativ, i cili duhej trajtuar menjëherë. Pikërisht në këtë moment nis edhe kalvari i gjatë i seancave të gjata të kimioterapisë, të cilat zgjatën plot 2 vite derisa mjekët e hoqën plotësisht masën tumorale pas një operacioni të suksesshëm.
Mirëpo atëherë kur mendoi se kishte gjetur qetësinë, gruaja nga Padova u përball me një tjetër diagnozë të frikshme: tumor në tiroide. Iu desh të kthehej sërish në spital për të nisur një tjetër betejë të lodhshme dhe të vështirë. E gjendur në të tilla kushte, Monica kuptoi se jeta nuk është aq e gjatë sa kishte ëndërruar gjithmonë dhe se duhej të luftonte çdo ditë për t’u ndjerë e gjallë dhe për të realizuar atë që dëshironte.
‘’Kur u riktheva në shtëpi, kuptova se nuk kishte bërë asgjë për veten, se kisha shumë ëndrra dhe ndoshta të nesërmen do të ishte vonë. Vendosa të jap dorëheqjen dhe të nis studimet në shkollën e mesme. I kisha lënë në mes këtu e 20 vite të shkuara dhe doja t’i mbaroja. E gjendur mes të rinjve, kuptova që ëndrrat nuk kanë moshë dhe se duhej të luftoja për një të ardhme më të mirë, dhe e gjeta veten në bankat e universitetit. Zbulova se ilaçet shërojnë trupin, kurse dashuria shpirtin.”-përfundon ajo.