Policia e Kosovës ka bërë të ditur mbrëmë se ka arrestuar njërin nga të dyshuarit që kanë lënë një vajzë pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.
Ndërsa në kërkim policor është Dardan K.
Mbrëmë Policia e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se rasti po cilësohet si “vrasje e rëndë”, ndërkohë që njëri nga personat e dyshuar është arrestuar.
“Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, pasi ka pranuar rastin ‘’Hetim mbi vdekjen’’, ka nisur hetimin e rastit që ka ndodhur, sot rreth orës 15:08 , ku një person e gjinisë femër, ishte sjellë pa shenja jete nga dy persona të dyshuar, në Qendrën Emergjente në Ferizaj, të cilët pastaj ishin larguar në drejtim të panjohur. Në lidhje me këtë, hetuesit rajonal, pasi kanë grumbulluar disa informacione në terren , kanë siguruar prova materiale, përmes kamerave të sigurisë dhe deklarata, ku kanë gjetur edhe vendin e krimit, që është kryer në një objekt banesorë të një rruge në Ferizaj, si dhe kanë identifikuar dy të dyshuarit e kësaj ngjarje”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë thuhet se i dyshuari, A.S. 32 vjecar, është intervistuar dhe pastaj ndaj tij është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
“Pas kësaj, policia kanë arritur që të arrestojnë njërin , të dyshuarin me inicialet A.S ( M/K) i moshës 32 , i cili pasi është intervistuar nga policia, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj , i njëjti është ndaluar për 48 orë, ndërsa në kërkim policor është i dyshuari tjetër me inicialet D.K (M/K) i moshës 29 vjeçar. Ndërkaq, trupi i pajetë dyshohet të jetë i personit , me inicialet M.O (F/K) e moshës 18 vjeçare , e cila është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion. Rasti është cilësuar ‘’Vrasje e rëndë’’ dhe mbetet për procedurë të mëtejmë hetimore”, tha Policia.