Sulmi monstruoz në Gllogjan, ku mbetën të vrarë tre persona: shoferi i autobusit dhe dy nxënës, ka shkaktuar dhembje e shqetësim te qytetarët tanë, por edhe vëmendjen e BE-së, shkruan “Kosovarja”.
Menjëherë pas rastit në Deçan, reagoi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pastaj reaguan edhe kryetarë të partive tona, por edhe politikanë nga Shqipëria dhe ata botërorë.
Kryediplomati i BE-së, Josep Borel, ka reaguar, duke dënuar sulmin ndaj vrasjes së nxënësve dhe shoferit dhe ka kërkuar kapjen dhe dënimin e autorit të vrasjes.
Andaj, policia e Kosovës duhet ta zgjerojë punën e vet operacionale, në kuadër të shtimit të sigurisë për fëmijët tanë, që nga dalja nga shtëpia, në shkolla e deri te kthimi i tyre në shtëpi.
Ata që kanë qenë nxënës dikur, në sistemin e dikurshëm, mbajnë mend se policia i kontrollonte udhëtarët dhe nxënësit në autobusë, përfshirë edhe çantat shkollore dhe ua konfiskonte gjërat që mund të lëndonin personat tjerë…
E sot?
Është rritur enorm numri i autobusëve të udhëtarëve, por askush, apo me ndonjë përjashtim, nuk të kontrollon, e aq më pak të kontrollojë në çanta a xhepa çka bartin pasagjerët.
Andaj, që të mos përsëritet rasti i Deçanit, në kuadër të shtimit të masave të sigurisë publike, sistemi i sigurisë duhet të organizojë kontroll sistematik në autobusë, në shkolla e gjetiu, me qëllim të çrrënjosjes së dukurive kriminale.
E, ajo që është edhe më e keqe, në treg lejohet haptazi shitja e të gjitha mjeteve të forta që marrin jetë njerëzish!
Kudo në shitje ka thika, boksa hekuri etj., me të cilët lëndohen të rinjtë apo edhe humbin jetën…
Sidoqoftë, reagimi i BE-së ndaj vrasjes së nxënësve në Gllogjan, është sinjal i keq për Kosovën. Kjo do të thotë se në Kosovë nuk ka siguri! Safet Krivaça /Kosovarja/