Kosovarët harxhojnë 500 mijë euro për telefonata në ditë! Shifër marramendëse për një popullatë të varfër, madje skajshmërisht të varfër, sikur jemi ne, në Kosovë!
E, kur kjo shumë zbërthehet, del se në çdo të dytën ditë harxhohen rreth një milion euro për telefonata, në dhjetë ditë pesë milionë, në 100 ditë pesëdhjetë milionë e në 365 ditë të mos flasim se trishtohet njeriu…
KAM THËNË UNË, KE THËNË TI, KA THËNË AI…
Për çka, a thua, bëhen gjithë ato telefonata? Me siguri, badihavxhillëku kërkon llafe e biseda, ndër të cilat prijnë thashethemet. Dhe, ku ka popull në botë që jep para për të ndezur thashetheme pos te ne?
Para meje po qëndronte një zonjë a zonjushë, sepse nuk i shkruante në ballë asnjëra dhe fliste me dikë. Unë prisja autobusin, por edhe ajo e priste. E dëgjova kur i thoshte telefonuesit a telefonueses: “Unë s’i kam thënë asgjë! Paska rrejt, se as që më ka shkuar mendja për atë gjë me fol për ty!”. E, fjalë e fjalë, dikur bukur shumë e nxehën atmosferën, sa ma mori mendja se po të ishin afër do të rriheshin në rrugë.
Dhe, sa e sa fjalë i shkëmbyen dhe për çka se… Për thashetheme! Ke thënë ti, ka thënë ai, s’kam thënë unë, s’ka thënë ai… Mendoj, tutje, se sa është e shprehur varfëria te ne dhe shpenzohen para për biseda telefonike pa karar…
KËNDEJ ANKOHEMI, ANDEJ TË GJITHË NË SHQIPËRI!
Në anën tjetër, çdo vikend – të gjithë në Shqipëri!
Verës të gjithë në det – në pushime verore! Mirë shumë, sepse kjo tregon se nuk jemi për ankesa. Edhe shtëpi të vjetra në fshatra më nuk ekzistojnë… Por, varfëri kah të duash… A thua, është kjo dukuri që e kemi ne për t’u ankuar?
Dikur i janë ankuar mbretit, pashait, beut, padronit… E sot, kujt t’i ankohemi? Dashtë Zoti e të humbë ky ves i ankesave se jemi të varfër… Në Gjakovë dikur thuhej: “Edhe i varfëri mund të jetë zotëri!”. S. M. K
Për më shumë, lexojeni këtu.