Pritja e vendimit pro a kundër dekretit të Presidentit për formimin e qeverisë Hoti, po kalon nën ethe, shkruan “Kosovarja”.
VV-ja nuk po deklarohet qartazi nëse do ta përfillë vendimin e Kushtetueses, apo jo. Ndërkaq, në të gjitha debatet publike, nga i pari i VV-së, Albin Kurti, e deri te i fundit, e pranojnë se do ta përfillin vendimin, por nëse ai i shkon përshtati kësaj partie!
E, realisht, populli nuk dëshiron të sheh trazira në rrugët e Prishtinës, as pika të kuqe në sheshin që qon kah portat e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Është një pritje me ethe, derisa populli ka votuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mos krijuar asnjë incident e as problem në zgjedhjet e fundit nacionale.
Disiplina e popullit në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, ka qenë shembull edhe për shumë shtete evropiane. Por, çka i shërben kjo popullit, kur politikanët janë larguar shumë nga populli?
Është e pashembullt se si është duke u zhvilluar lufta politike për pushtet në Kosovë! Politikanët, për çudi, janë në gjendje ta godasin shtetin vetëm e vetëm të fitojnë pushtet!
Tashmë, në prag të shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pro a kundër dekretit të Presidentit, qeveria Kurti, edhe pse jemi në pandemi, ka shpallur masa të plota lirie për qytetarët, gjë që shumëkush po e konsideron si një masë në harmoni me atë që po proklamohet të ndodhë me protestat e mundshme, nëse vendimi i Kushtetueses nuk do jetë në dobi të Albin Kurtit.
Dhe, prej pezullimit të dekretit të Presidentit e deri më sot, kanë ndodhur shumë debate politike në televizionet tona. E, nga ato debate gjithsecili ka folur nga këndi i vet…
Është debatuar edhe për rreziqet, edhe për dilemat, edhe për të drejtat kushtetuese…
Protestat e mundshme në Prishtinë, nëse vendimi do jetë pro dekretit të Presidentit, nuk ka gjasa të jenë paqësore.
Paqe për paqe, Albin Kurti do të duhet ta pranojë vendimin, ashtu siç kanë deklaruar se do e pranojnë të gjitha partitë tjera, cilido qoftë vendimi i Kushtetueses.
Protestat janë të ligjshme, por në këtë kohë pandemie nuk di sa do i kontribuojnë gjendjes momentale në Kosovë.
E, nëse ato do të jenë të dhunshme, atëherë edhe më keq. Sepse, askush nuk ka të drejtë t’i qet në rrugë fëmijët, e as popullin për qëllime personale partiake.
Sidoqoftë, secila protestë e dhunshme do e kthejë vendin për disa vite mbrapa, ashtu siç pat ndodhur me ngjarjet tragjike të vitit 2004.
Andaj, shtrohen pyetjet: Përderisa politikanët tanë po merren vete dhe me luftën për pushtet e inate, ku është populli?
Çfarë pret populli nga politika e partive tona, kur, siç shihet, populli ka mbetur i vetmuar në rrugëtimin drejt shtetit ligjor?
E, popull të edukuar dhe të vetëpërmbajtur si ky i Kosovës, rrallëkund mund të gjesh. Por, po keqpërdoret nga politikanë tanë, të pangopur për pushtet! Safet Krivaça /Kosovarja/