Patëllxhanët në furrë mund të shërbehet si garniturë ose si pjatë e dytë, por shumë mirë mund ta shoqëronit dhe me një sallatë të freskët verore.
Perberesit per 3-4 persona:
1 kg patëllxhanë të gjatë ● 250g djathë “Scamorza” ● 2-3 lugë miell ● 2-3 lugë djathë kaçkavall i grirë ● vaj ulliri, kripë
Pergatitja:
1.Patëllxhanët i presim në formën e shkopinjve të hollë, jo shumë të gjatë. I vëmë mbi një kullesë makaronash, i përziejmë me pak kripë kokërrmadhe dhe i lëmë 30 minuta që t’u largohet hidhësia.
2.I shpëlajmë mirë me ujë rubineti, i thajmë me letër kuzhine, i futim në një qese plastmase bashkë me miellin. Mbyllim qesen, e tundim derisa patëllxhanët të lyhen në mënyrë të njëtrajtshme me miell.
3.Vëmë në zjarr një tigan të madh dhe hedhim 4-5 lugë vaj. Kur vaji të nxehet, skuqim patëllxhanët derisa të marrin ngjyrë, duke i përzier herë pas here (rreth 20 minuta).
4.Në një tavë të lyer me pak vaj hedhim gjysmën e patëllxhanëve, shpërndajmë gjysmën e masës së djathit të prerë në kubikë, hedhim një shtresë tjetër patëllxhanësh dhe e përfundojmë me kubikët e djathit dhe djathin e grirë. I pjekim për 15 minuta në furrën e ngrohur më parë në temperaturën 200°C.