Estrada dhe pronarët e restoranteve kanë paralajmëruar një protestë për ditën e hënë.
Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka dhënë sinjal për lejimin e organizimit të dasmave dhe ahengjeve të tjera familjare.
Kjo gjë do të ndikojë direkt tek artistët dhe shumë veprimtari të tjera që lidhen me dasmat, andaj po bëhet thirrje për protestë, në mënyrë që të kërkohet lejimi i organizimit të tyre.
Në rrjete sociale ka filluar të qarkullojë thirrja e pronarëve të restoranteve, të cilës po i përgjigjen edhe këngëtarët.
“Bëhet thirrje nga pronarët e restoranteve të Kosovës që të hënën në ora 12:00 të mblidhen para Ministrisë së Shëndetësisë që të protestohet për lejimin e ahengjeve(dasmave). Të bëhemi së bashku të gjithë̈, kur lejohen baret e kafiterit me 50 persona ose më shumë pse mos të lejohen ahengjet familjare”, thuhet në njoftim.
Afrim Muçiqi ishte njëri ndër të parët që iu përgjigj pozitivisht kësaj thirrjeje, e pas tij edhe Labinot Tahiri.
Po ashtu, edhe Milot dhe Edona Llalloshi kanë konfirmuar pjesëmarrjen në protestë, madje kjo e fundit ka etiketuar edhe disa prej kolegëve që t’i përgjigjen thirrjes.
Protesta pritet të mbahet të hënën nga ora 12:00 para Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë.