Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi përmes një videomesazhi e ka dënuar ashpër dhunën në veri të vendit.
“Është e rëndësishme dhe jetike që të kemi një Republikë të Kosovës e cila ka një sovranitet të shtrirë në gjithë territorin e saj, por kjo arrihet vetëm me sinkronizim dhe koordinim me aleatët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Arifi.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që “me përkushtimin më të thellë të ruajë marrëdhëniet e ndërtuara me dekada me miqtë tanë ndërkombëtarë”.
“Me Amerikë nuk ka lojë!”, ka thënë Arifi ndër të tjera.
Kujtojmë se një ditë më parë, SHBA-ja njoftoi se ka vendosur ta sanksionojë Kosovën për insistimin e Qeverisë për t’i vendosur kryetarët e komunave në veri në ndërtesat komunale, për çka ka nxitur trazira nga serbët lokalë.
Vendimi i parë ishte për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 2023”, ka bërë të ditur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
Ndërsa qortimin e parë të Blinkenit, pas nisjes së tensionimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar “të padrejtë, të gabuar, lëndues dhe naiv”.
https://www.facebook.com/watch/?v=2078641679134591