fbpx

Vuçiq: Ne nuk po dërgojmë ushtarë në Kosovë

nga Revista Kosovarja

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se nuk ka ndërmend të urdhërojë forcat ushtarake të vendit të tij që të kalojnë kufirin në Kosovë, pavarësisht paralajmërimeve të zyrtarëve amerikanë për një rritje “të paprecedentë” nga Beogradi, raporton Financial Times.

Në një deklaratë për FT, Vuçiq thotë se ai do të tërhiqte forcat e Serbisë në zonë, sepse një përshkallëzim i konfliktit do të ishte kundërproduktiv për aspiratat e Beogradit për në BE.

“Pse do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte ideja? Për të shkatërruar pozicionin tonë që kemi ndërtuar prej një viti? Për ta shkatërruar këtë brenda një dite? Serbia nuk do luftë” ka thënë Vuçiq.

Të premten, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-të kishin vëzhguar një “inskenim të paprecedentë të artilerisë, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë serbe” në kufirin me Kosovën dhe e quajti atë një “zhvillim shumë destabilizues”.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë ato forca nga kufiri dhe të kontribuojë në uljen e tensionit”, tha Kirby, duke shtuar se Vuçiq dhe Antony Blinken, sekretari amerikan i Shtetit, kishin folur për mënyrat për të qetësuar situatën.

Kirby tha se sulmi i së dielës ishte “i mirë-koordinuar dhe i planifikuar”, duke shtuar se madhësia e një depoje armësh të gjetur më pas kërcënonte sigurinë e zyrtarëve të Kosovës dhe personelit ndërkombëtar, duke përfshirë trupat e NATO-s.

Vuçiq tha për FT se paralajmërimet e Uashingtonit ishin joproporcionale pasi numri i forcave serbe në terren po zvogëlohej.

“Vitin e kaluar kemi pasur 14,000 ushtarë pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000,” tha ai.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]