Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli, ka qenë e ftuar sot për raportim në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen “Trepça”.
Por ministrja nuk ka ardhur fare në raportimin para Komisionit me arsyetimin se ndodhet jashtë shtetit.
Pavarësisht mungesës së saj, anëtarët e Komisionit nga pozita e opozita kanë mbajtur takimin.
Kusari-Lila ka propozuar që të mbahet një takim me përfaqësuesit sindikal të Trepçës. Këtë e ka pranuar edhe Ferat Shala duke thënë se me kënaqësi do e pranonte një takim me sindikalistët e Trepçës.
Por Shala e ka akuzuar Kusari-Lilën duke thënë se është bërë zëdhënëse e Qeverisë.
“Për takimin me përfaqësuesit e Trepçës është dashur të njoftohemi nga ministrja Rizvanolli”, ka thënë Shala.
Edhe Pal Lekaj e ka vlerësuar si manipulim këtë fakt.
“Grupi i VV-së pa u konsultuar me Komisionin ka thirur takim me Sindikatën e Trepçës dhe kjo është manipulim i llojit të vet” ka thënë Lekaj.
Bunjaku-Rexhepi nga LDK ka thënë se nuk kanë pse të takohen me Sindikatën, pa qenë ministrja në raportim.
“Nuk jemi kundër që ti dëgjojmë minatorët por jo në këtë menyrë. Kjo është për të manipuluar minatorët sindikal. Unë propozoj që pa ardh ministrja, nuk kemi pse të takohemi me sindikata. Ne nuk jemi këtu fontan dëshirash të takohemi këtu kur të dëshirojnë ata”, tha ajo.