Për ”legjendën”, të “famshmin” sikur që e thirrnim ne, miqtë e tij, mbase sot s’do të shkruaja, po të mos e shihja paqëllimshëm emrin e tij në regjistrin e telefonit tim, tek kishte mbetur akoma i shënuar.
I famshmi, Qaniu, – kështu e kisha të regjistruar mikun tim, Qani Mehmedi, i cili , pikërisht sot, në ditën e 18-të të korrikut i bënë tre vjet që kur ka ndërruar jetë.
Derisa mbeta pak çaste duke e parë emrin e tij në ekranin e celularit tim, më kapluan emocione dhe kujtime të shumta për të e me të, më shumë se 45 vite.
As sot, s’mund të mos e përmendi e të mos i them dhe këto pak fjalë për mikun tim, maestron e gazetarisë shqiptare, publicistin e analistin e njohur gjithandej trojeve shqiptare.
Me shumë keqardhje i shkruaj këta rreshta, pasi e ndjej veten, se jam futur në amullinë e hapësirës tonë ku njerëzit i duam vetëm pasi që të vdesin. Por, ama edhe nuk mund që të mos them edhe disa fjalë, veçanërisht për shkak, se ai ishte një nga të rrallët, i cili nuk e prangoste arsyen e tij për interesa të kësaj bote e jete “ të çmendur” siç e thoshte ai nganjëherë gjatë ndejave të shpeshta edhe deri vonë natën që e bënim.
Ata , të cilët e kanë njohur , aq më shumë ata që kanë bashkëpunuar e punuar me te në ndonjërën prej mediumeve ku ka punuar edhe Qano, e dinë mirë që arsyeja e tij e ndritur nuk i duronte prangat e autoritaritetit, por gjithnjë ishte me të vërtetën dhe për të vërtetën.
Gjithnjë udhëhiqej nga e vërteta dhe nuk e frikësonin dertet e sikletet me të cilat do të ballafaqohej në rrugëtim që s’ ndalej as lodhej asnjëherë.
Nuk lodhej shumë nga pushtetarët. Dinte rreptë t’i kritikojë edhe ata që i kishte shokë dhe ishin bërë pushtetarë. Kritika e tij nuk ishte rrënuese, por ndërtuese. Mendimet i kishte të qarta dhe elokuente.
Edhe sot, si dhe këto tri vite e deri tash, më merr malli për bisedat me të përplot me sinqeritet dhe dashuri për të vërtetën, të cilës asnjëherë nuk i ka ikur.
Me Qanon , sikur që e përmenda më herët, kishim një shoqëri e jetë afro katër dekada gjysmë. Nuk janë pak 45 vite. Gati një dekadë të plotë vetëm në revistën javore “ Zëri i rinisë”, e cila në atë kohë ishte më e lexuara, më e shitura.
Sa ikin ditët pa te, aq më shumë më merrë malli për te,më mungojnë ndejat me te.
Ka kohë që s’ jam kthyer as në restorantin “ Pini”, në lagjen Dardania të kryeqytetit , tek kemi kaluar bashkë shumë kohë. Arsyeja: sa herë ktheja aty, më dukej se aty do e gjeja Qanon, në tavolinën tonë, e cila thuajse ishte e rezervuar për ne dy dhe miqtë tanë tjerë.
Në tavolinën , tek i cakërronim gotat gjatë ndejës , duke biseduar për shumëçka të jetës jo vetëm të shkuar, por edhe për preokupimet e hallet e qytetarëve , siç thoshte ai “ populli ka brenga “, por gjithmonë – vertikalisht duhet qëndruar.
Fliste Qano, por asnjëherë i zhgënjyer. Gjithmonë me plot vullnet , energji e shpresë për të nesërmen e mirë…
Eu, paskan kaluar tri vite pa mikun tim shpirtëror.
Plot tri vjet sot, që s’po e dëgjoj zërin e tij burrëror e gazin e tij karakteristik.
E pranoj, m’u dhimbs shumë në ditën kur e mora lajmin se ndërroi jetë. Aq më shumë, se miku im i madh, Qani Mehmedi , iku pa e shfrytëzuar ne, dijen e njohurinë e tij, të cilat secilën herë që më kujtohet e them në vete – ishte enciklopedi.
Me këtë rast, derisa shkruaj këta pak rreshta , seç më kujtohen fjalët e tij : e po , e gjithë jeta qenka luftë, ndërsa vdekja m’ sa duket qenka jetë…
I tha këto fjalë duke mos i ndarë sytë nga unë dhe miku i tij dhe imi, i yni avokati i njohur, Ramiz Krasniqi, në ditën kur e vizituam në spitalin e Tetovës, pak ditë para se të ndërronte jetë.
Dukej sikur e parandiente vdekjen, por s’donte të dorëzohej. Shihej vullneti i tij impresionues edhe në atë gjendje me truplodhur, por jo me mendje të lodhur, as me shpirtin të lodhur.
Aty , mbi tavolinën afër krevatit tek ishte i shtrirë Qano , ishte libri i shkruar nga ai, i cili sapo kishte dalë nga shtypi me titull “ Gjurmëmedhënjët e Kosovës”
Duke e shfletuar librin Ramizi, për një çast kthen sytë nga unë dhe e shikojmë dhe sikur e lexojmë mendimin e njëri tjetrit:
Këtu e ka vendin të hyjë edhe shqiptari i mrekullueshëm, patrioti mendjetrituri e miku ynë – Qani Mehmedi, i cili përfaqësonte njeriun e vlerave, e që për fat te keq , jo vetëm Kosovës i mungon.
Ikja e tij shkakton nje boshllëk te madh e te pazëvendësueshëm. Gani Dili / Kosovarja/