fbpx

Tri poezi nga poeti në diasporë Sadik Krasniqi

nga Revista Kosovarja

 

PELEGRINI

Do të nisem nga fusha e Galilesë
Si dikur tunikëbardhi me sandalet e rjepura
E me zemrën e bardhë

Do i vjel mbetjet në kopshtije
Që i la dorë e mbarë
Me ligjin e Izraelit

Pak rrush nga vila me brymë
Ca kokrra ulliri e shegë gjaku të ëmbël

Zbathur do eci udhës së nxehtë
Të më djegë toka në zemër

Nën një palmë të urtë si engjëlli
Me durimin e një guri në pikëllim
Do pres muzgun e natës së zezë
Që t’i shoh yjet e Jerusalemit

PORTA E LUANIT

Vala e bardhë rreh muret e Butrintit
unë i vë shpatullat Portës së Luanit
pres të vijnë Uliksi Jul Cezari
e ndoshta edhe Aleksandri i Madh

i vë duart në ije ta rris këtë gjysmë porte
mos ta përkulin krenarinë
kur të hyjnë solmnisht në këtë qytet aq të bukur

zot si më hyjnë në dhe këmbët
për veshë gjak i zi e nata në sy

më zgjon një kukamë qyqeje

zot paskan kaluar kalëruar
Portën luanët e dheut

duart m’i paskan shkelur me patkonj çeliku
kuajt hamshorë
sa gjak në gishta

nuk dua të ngrihem
as sytë s’i çel

pres muzgun
mos ta shoh sërisht atë portë xhuxhe
sa mos ta zë as Agimin e Vushtrisë

shëmtinë e bukurisë së djegur
të qytetit të Butrinit s’dua ta shoh

u hedh syve hi

*Butrint, verë, 2021

BALONAT*

Ato balona të shumta në qiell
Si bulëzat e ylbertë
Janë prej frymës sime
Tërë natën i kam fryrë
Me frymën time të sëmurë

Mezi i kam qitur nga dritarja e ngushtë
Me kujdes që të mos pëlcasin
E ta prishin ëndrrën tënde të bukur
Me mua përdore diku anë një lumi

Mbylle dritaren
lëshoji perdet e errëta
S’dua t’i shoh duke rënë
Të përdredhur në ajër
Si pëllumbat që u çelet vetëm një krah

I lëshoi fryma ime e ligë
Po bien
S’’dëgjohet më muzikë
U prish festa
A s’i dëgjon sesi qajnë fëmijët

*Nga një bisedë e dëgjuar përafërsisht kështu, në mes të një vocërraku dhe një nëne në një dhomë spitali në Gisen!

SHËNIME PËR AUTORIN

Sadik Krasniqi (1961) lindi në Llukarë të Prishtinës. Diplomoi në Degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Është anëtar i disa asociacioneve letrare dhe kulturore shqiptare në mërgatë. Poezitë e tij janë përfshirë në antologji si dhe janë përkthyer në rumanisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht e suedisht. Po ashtu, është laureat i disa çmimeve letrare. Krahas poezisë, Krasniqi shkruan tregime, recensione si dhe shkrime bublicistike. Jeton dhe punon në Gjermani.

Ka botuar librat:

“Ofshamë në urnë”, “Faik Konica“, Prishtinë , 2008 (Çmimi “Azem Shkreli” për letërsi në mërgim),
“Lacrima vietii” – (Loti i jetës), Bukuresht, 2010 (libër me poezi, përktheu rumanisht Baki Ymeri),
„Oazë palmash të djegura“, “Faik Konica“, Prishtinë, 2011,
“Ag muzgu”,“Faik konica“, Prishtinë, 2014.(Çmimi “Azem Shkreli”, për librin më të mirë brenda vitiit në mërgim)
“Lutje në mëngjesin e zymtë”, Koliqi, Prishtinë, 2019
“Parajsë e nëmur”, “Armagedoni” Prishtinë, 2019

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]