Një ngjarje e rëndë u shënua mbrëmë në veri, ku një autoblindë e Policisë së Kosovës u vetaksidentua duke rënë nga një urë, duke shkaktuar me ç’rast lëndimin e tetë zyrtarëve policorë.
Pas aksidentimit u bë e ditur se të lënduarit u dërguan në spital për tretman mjekësor, teksa të gjithë ishin jashtë rrezikut për jetën.
Në një përditësim më të fundit nga ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, u bë e ditur se nga tetë policët e lënduar në aksident, pesë u liruan në shtëpi kurse tre vazhduan të trajtohen në Klinikën Emergjente në QKUK.
“Njëri do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe njëri pas observimit në Klinikën Emergjente pritet të transferohet në Klinikën e Neurokirurgjisë”, tha ai në njoftim.
Postimi i plotë:
Nga tetë policët e lënduar sonte në aksident, pesë janë liruar në shtëpi kurse tre gjenden në Klinikën Emergjente në QKUK.
I vizitova sonte dhe mjekët më njoftuan se gjendja e tyre është stabile dhe për momentin jashtë rrezikut për jetë.
Njëri do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe njëri pas observimit në Klinikën Emergjente pritet të tranferohet në Klinikën e Neurokirurgjisë.
I gjithë stafi në spitalin e pergjithshëm në Mitrovicë dhe Klinikën Emergjente në QKUK janë mobilizuar duke reaguar shpejt dhe në menyrë profesionale.
I uroj shërim dhe kthim të shpejtë në detyrë secilit!