Ka kohë që diçka më shtyn më shumë nga katundi. Ambienti, gjelbërimi, lulet, fushat e pafund, kam menduar se janë shtytësit e jetës sime që më çojnë andej për ajër të pastër e për gjelbërim .
Disi ngopem me ajër të mirë, të pastër kur shkoj në katund. Nuk më kishte rënë në mendje se kishte dhjetëra arsye që qyteti nuk më shkonte më për qejfi.
Në mëngjesin e së enjtes, më 20 gusht, miku im kishte lexuar, se në Gjirokastër qenka miratuar një ligj, i cili ndëshkon pronarët për shkak të lehjes së qenve në mëngjes apo gjatë natës, që mundë të jenë si shkaktarë të prishjes së gjumit dhe qetësisë të banorëve.
Miku im, ndan gjithashtu shqetësimet, se në lagjen e tij, në Prishtinë, më nuk flihet nga lehja e qenve. Tërë natën, lehin dhe ulërijnë.
Përveç këtyre shqetësimeve, pronarët me të zgjuar në mëngjes, i marrin për shëtitje dhe i ofrojnë të kryejnë nevojat nëpër shkallë shtëpie e në dyer të lokaleve afariste dhe lokaleve të ushqimeve.
Tutje, ligji i miratuar në Gjirokastër paska cilësuar, se ai që mban qenin, duhet ta gjejë mënyrën si t’ia ndalojë lehjet në mënyrë që banorët të flejnë rehat.
Më bie në mendje, se mbrëmë gjatë natës, disa grupe qensh në lagjen “Mati 1”, kanë luftuar mes vetes sikur ujqërit në bjeshkë. Një natë kur çuni im u vonua nga qyteti, ne nuk fjetëm fare me gruan dhe qëndruam në ballkon duke vëzhguar gjendjen nëse do ta sulmonin djalin dhe më në fund i telefonuam që të mos vinte fare në shtëpi, por të flente te shoku i tij.
Pas shfaqjes së pandemisë dhe orës policore në Prishtinë, qentë janë trimëruar dhe kanë marrë dhenë. Secila lagje tashmë ka banda të qenve, që kur hyn një qen i një bande në zonën e tyre ata i vërsulen dhe e bëjnë copash.
Kjo është e vërtetë, nuk është trillim. Në Prishtinë ka shumë banda qenësh që janë bërë rrezik për qytetarët.
Në Prishtinë, ua shkelin të drejtat qenve.
Përveç se qentë i kalojnë kufinjët, në Prishtinë edhe cenojnë liritë e qytetarëve, ka edhe raste kur qenve u shkelen të drejtat. Në lagjen e mikut tim aty, ku është zyra e punës, është një qen bardhosh i një race të madhe që i mbanim moti kohë në katunde kundër ujqërve.
Ky qen e don gjumin, por nuk e lënë pronarët të qetë as në gjumë.
E shoh, se e tërheqin zvarrë që ta shëtisin. Me të zgjuar në mëngjes, e merr zonja për shëtitje dhe pasi shëtitë me te nja një orë, pastaj e merr i zoti i shtëpisë për ta shëtitur po asaj rruge.
Bardhoshi i tyre, nuk e don shëtitjen e shpeshtë. Më pas e marrin edhe fëmijët e tyre dhe kjo i bie shkelje flagrante e të drejtave të qenve në Prishtinë. E shëtisin aq tepër sa qeni lodhet dhe mezi pret të bie në gjumë.
Por, për një qen të tillë të madh, i cili e don gjumin, edhe qentë e lagjes aty ia prishin terezinë qenit bardhosh.
Në katund qetësi, nuk ka as lehje qensh.
Për ta shmangur prishjen e gjumit, po iku në katund, por nuk më paskësh rënë në mendje, se katundin mund ta kem dashur ndër të tjera edhe për shkak të prishjes së rehatisë natën nën lehje qenësh.
Shkoj në katund dhe bie i qetë. Nuk ka asnjë qen që ma prish gjumin. Gjithë natën një lehje nuk e ndjej. Kjo nuk është mahi besoni, është e vërtetë.
Katundarët janë qytetëruar më shumë se prishtinasit. Nuk mbajnë më as bagëti, nuk mbajnë qenë, nuk kanë as mjete për punë, as lopata e asnjë gjë që e kishin dikur.
Madje, aty këtu ndonjë dhe pula për hobi. Para mëngjesit ndonjë gjel ndjehet duke kënduar.
Qetë, bukur, rehati, parajsë….
Televizorë me të gjithë programet, sallone të bukura shtëpiake, gjelbërim, lule dhe drunj dekorativë, i gjeni vetëm në katunde, kudo që shkoni.
Ra kjo puna e qenve e më bëri të ndalem dhe të sjell në mendje, pse po më tërheqë katundi të shkojë e ta pushojë mendjen e shpirtin.
Nuk është vetëm puna e qenve që më bën të ik nga qyteti, por ka edhe shumë sende të tjera.
Katundarët janë civilizuar vërtetë dhe nuk keni më as oda që ndajnë gratë nga burrat, nuk kemi qenë që luftojnë mes vetes si dikur bandat mes vetes. /Safet Krivaca / Kosovarja/