fbpx

Diogo Jota u martua 11 ditë para vdekjes, postimi i fundit i gruas së tij prek zemrat e të gjithëve

nga Revista Kosovarja

Sulmuesi i Liverpoolit dhe kombëtares së Portugalisë, Diogo Jota, ka ndërruar jetë në një aksident tragjik trafiku në provincën spanjolle Zamora. Futbollisti 28-vjeçar ndodhej atje për pushime dhe muajin e mjaltit me bashkëshorten e tij, Rute Cardoso.

Vetëm 11 ditë para vdekjes, më 22 qershor 2025, Jota ishte martuar me partneren e tij prej shumë vitesh, Ruten – një dashuri që kishte nisur që në bankat e shkollës së mesme. Dasma, e organizuar në Portugali, ishte kurorëzimi i një historie dashurie të gjatë dhe të fortë.

Mbrëmë, bashkëshortja e tij ndau një video emocionuese nga dita e martesës, duke prekur zemrat e mijëra ndjekësve në rrjete sociale.

Çifti ishte njohur gjatë shkollës së mesme dhe që nga viti 2012 kishin qenë në lidhje. Në korrik të vitit 2022, Jota e propozoi për martesë. Në publikimin e tyre të fundit me fotografi nga dasma, ata kishin shkruar: “22 qershor 2025 – Përgjithmonë”.

Gjatë këtyre viteve, ata përballuan së bashku shumë sfida dhe gëzime. Çifti kishte tre fëmijë: djemtë Denis dhe Duarte, si dhe një vajzë të lindur në vitin 2024.

Diogo Jota humbi jetën bashkë me vëllain e tij më të vogël, André, kur automjeti i tyre doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët. Aksidenti ndodhi më 3 korrik 2025, në rajonin spanjoll Zamora.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka tronditur botën e sportit dhe miliona tifozë në mbarë globin. Jota la pas një grua të përkushtuar, tre fëmijë të vegjël dhe një karrierë të pasur si futbollist – me suksese në klube të mëdha si Wolverhampton, Liverpool, dhe me paraqitje të shumta për kombëtaren portugeze.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]