Policia e Kosovës ka parandaluar një përleshje fizike të mundshme mes dy grupeve të rinjsh në Mitrovicë, duke arrestuar pesëmbëdhjetë persona të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur pas një informacioni të pranuar nga qytetarët për një mundësi përleshjeje mes dy grupeve, që ishte planifikuar të ndodhte në orët e mbrëmjes.
Pas reagimit të shpejtë dhe efikas të njësive policore nga Stacioni Policor Jugu, dy grupet janë lokalizuar dhe përplasja është parandaluar me sukses.
Gjatë operacionit, policia ka arrestuar pesëmbëdhjetë persona të dyshuar, të cilët janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
Intervistat po zhvillohen në prani të prindërve dhe zyrtarëve nga Qendra për Punë Sociale, ndërsa procedurat e mëtejshme hetimore janë duke u realizuar në koordinim me Prokurorinë kompetente.