Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është optimist për një marrëveshje të mundshme për armëpushim në Rripin e Gazës, duke shtuar se negociatat po shkojnë në drejtimin e duhur dhe një marrëveshje mund të arrihet brenda javës.
Duke folur të premten me gazetarët në një aeroport, Trump tha: “Mendoj se jemi afër një marrëveshjeje për Gazën”, duke theksuar përpjekjet intensive për të ndalur luftime në rajon.
Presidenti amerikan bëri të ditur se shpreson në një armëpushim të mundshëm këtë javë dhe se ekziston një “shans i mirë” për marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve të mbetura.
Deklarata e Trump vjen në kohën kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po udhëton drejt Uashingtonit. Të dy pritet të takohen sot në Shtëpinë e Bardhë, në orën 18:00 sipas kohës lokale, ku armëpushimi në Gaza do të jetë tema qendrore e bisedimeve.
Ndërkohë, Hamasi ka dorëzuar një përgjigje “pozitive” ndaj propozimit të fundit për armëpushim, përmes ndërmjetësve nga Katari dhe Egjipti. Kjo ka nxitur edhe më shumë shpresat për një zgjidhje të afërt diplomatike në konfliktin e përgjakshëm në Gaza.