Një sulm i pazakontë nga një tufë bletësh ndodhi në qytetin Aurillac të Francës, duke lënë 3 persona të shtruar në spital dhe 21 të tjerë të lënduar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit, kur kalimtarët u sulmuan brenda një periudhe 30-minutëshe nga bletët që kishin origjinën në kosheret e vendosura mbi çatinë e një hoteli të madh në qytet, transmeton klankosova.tv.
Tre personat e hospitalizuar kishin pësuar reagime të rënda alergjike, përfshirë një të moshuar që pësoi arrest kardiak, por fatmirësisht u shpëtua në kohë dhe më vonë gjendja e tyre u stabilizua.
Sipas autoriteteve lokale, prania e grerëzave aziatike në Evropë mund të ketë nxitur agresivitetin e pazakontë të bletëve.
Kryetari i bashkisë së Aurillac, Pierre Mathonier, siç shkruan The Guardian, shprehu shqetësimin për vendosjen e kosherve në zonat urbane dhe tha se po shqyrton ndalimin e tyre në të ardhmen.
Kosheret tashmë janë larguar dhe vendosur jashtë qytetit.
Ndërkohë, autoritetet lokale kanë nisur rishikimin e masave të sigurisë për të parandaluar incidente të ngjashme.