fbpx

Syzet e gabuara të diellit mund të dëmtojnë sytë

nga Revista Kosovarja

Çdo ditë, gjithnjë më shumë njerëz u drejtohen oftalmologëve për shkak të përkeqësimit të papritur të shikimit

Edhe pse është e qartë që disa shkaqe nuk i shmangim dot, si shikimi i zgjatur në ekrane, shpesh neglizhojmë disa zakone të dëmshme që i zgjedhim vetë. Një nga to del në pah sidomos gjatë verës: përdorimi i syzeve të diellit që nuk mbrojnë sytë.

Syzet e diellit – mbrojtës apo rrezik?

Vera është stina e aksesorëve dhe syzet e diellit janë pjesë e pandashme e çdo veshjeje. Por shumica i zgjedhin për pamjen, jo për mbrojtjen. Një studim i fundit me 2.000 të rritur tregoi:

23% i zgjedhin vetëm sipas dizajnit,
19% nuk e dinë fare çfarë do të thotë UV mbrojtje,
ndërsa 37% mendojnë se janë të informuar, por 66% prapë ia japin përparësinë pamjes.

Jo vetëm kaq: shumë syze të lira, të blera në tregje ose dyqane jo të specializuara, nuk ofrojnë as mbrojtjen minimale, madje mund të jenë më të rrezikshme se të mos mbash fare syze, pasi qeliza e syrit hapet më shumë ndaj rrezeve të dëmshme kur errësimi nuk shoqërohet me filtrin UV.

Kjo mund të ketë pasoja serioze. Sipas oftalmologut britanik Giles Edmonds, kur sytë ekspozohen ndaj diellit të fortë, bebëzat zmadhohen dhe lejojnë më shumë rrezatim UV të dëmshëm. Kjo me kalimin e kohës mund të shkaktojë: turbullim të shikimit, katarakt, degjenerim makular, madje edhe humbje të plotë të shikimit.

Po syzet estetike? Ato thjesht e zbehin dritën, pa asnjë mbrojtje reale nga UV.

Si të zgjidhni syze që vërtet mbrojnë?

Mbrojtja e duhur nuk duhet të jetë e mërzitshme, por duhet të përmbushë disa kushte:

Mbrojtje UV me nivel të lartë. Minimumi duhet të jetë UV380, por rekomandohet UV400 për mbrojtje maksimale. Kontrolloni që të ketë etiketë zyrtare dhe certifikatë cilësie.

Shtresë antireflektuese. Parandalon reflektimin e dritës dhe shton mbrojtjen nga rrezet UV indirekte, sidomos kur jeni pranë ujit apo dëborës.

Shkalla e errësimit. Mos zgjidhni vetëm syzet më të errëta. Syzet shumë të errëta pa mbrojtje UV janë më të rrezikshme se syzet e çelura me filtër të saktë. Gjithmonë shikoni etiketën, errësimi duhet të përputhet me filtrin UV.

Kontrolloni gjendjen e syzeve. Nëse xhamat kanë gërvishtje ose plasaritje, filtri UV mund të dëmtohet. Ndërrojini në kohë.

Syze dielli edhe në dimër? Po, patjetër!

Është mit që syzet e diellit duhen vetëm në verë. Në dimër, veçanërisht kur ka borë, rrezet UV reflektohen më shumë dhe mund të dëmtojnë më fort kornenë e syrit. Prandaj syzet duhet të barten çdo ditë me diell, pavarësisht stinës.

Për kujdes maksimal, vizitoni rregullisht oftalmologun për të kontrolluar gjendjen e syve dhe për të marrë këshilla mbi mbrojtjen më të mirë nga dielli.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]