Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është i ftuar në aktivitetin e KDI-së, ku do të flasë për dialogun.
Me të nisur fjalimin ai është ndërprerë nga Natyra Kuçi e Teutë Rrusta, të PSD-së, të cilat me anë të bilbilave dhe hedhjes së fletushkave ia ndërprenë fjalimin kryeministrit Hoti.
Ato i thanë Hotit se nuk është duke ndërmarrë asgjë për të luftuar dhunën ndaj grave dhe se dialogu u duket më i rëndësishëm sesa liria e femrave.
“As edhe një fjalë të vetme për dhunën ndaj grave nuk po e thoni. Gratë po rrezikohen në shtëpitë e tyre nga burrat. Çdo ditë po vritet nga një grua”, u dëgjua duke thënë njëra nga aktivistet, raporton “Zeri.info”.
E në anën tjetër, Hoti i dëgjoi dhe ua lejoi deri në fund të shprehin atë që kishin për të thënë, madje edhe organizatorit ia bëri me dije që t’ua mundësonte këtë.
Ndërsa shtoi se është pro të drejtave të grave.
“Nuk e gjeni një person tjetër që e mbron më shumë të drejtën e femrave. Nuk e keni gjetur njeriun e duhur për këtë, sepse unë jam në anën tuaj. Nuk e keni gjetur as kohën dhe as njeriun e duhur”, tha kryeministri Hoti.