Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se momentalisht janë të orientuar rreth situatës me pandeminë, por thotë se do të shqyrtojnë çfarëdo oferte që vjen karshi tyre nga LDK-ja.
“Nuk kemi një qëndrim akoma jemi komplet të orientuar rreth situatës me pandeminë njëherë. Ajo që vjen do të shohim me kohë”, ka theksuar ai për KP.
Ndërkohë, lideri i VV-së, Albin Kurti sot i ka kthyer letër presidentit Thaçi, ku ka theksuar se pas rrëzimit të Qeverisë, duhet të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare.
“Ndonëse në dy shkresat tuaja të fundit, atë të datës 02.04.2020 dhe atë të datës 10.04.2020, thirreni në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO 103/14 i datës 30.06.2014 (i publikuar më 01.07.2014), veprimet tuaja të cilat qartazi janë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës të cilëve ju referoheni dhe Aktgjykimin të cilin ju përmendi, tregojnë se Ju dhe stafi juaj nuk i keni lexuar mjaftueshëm dhe me kujdes të njëjtat”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kurtit.
Mirëpo, siç ka shkruar Kurti “ajo që nuk e kam të qartë, është standardi i dyfishtë që Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme”.