Shumë njerëz përdorin pllaka plastike të gërvishtura prej vitesh për ta prerë ushqimin në to, por studimet e fundit kanë treguar se ato mund të lëshojnë mikroplastika në ushqim. Një hulumtim i botuar në Environmental Science & Technology ka zbuluar se gjatë prerjes në pllakat plastike lirohen grimca të vogla plastike që mund të përfundojnë në trupin e njeriut, NBC News.
“Kur thika gërvisht sipërfaqen plastike, grimcat e mikroplastikës ngjiten në ushqim. Janë aq të vogla sa nuk i shohim”, ka shpjeguar doktori Manish Shetty, profesor në Universitetin Texas A&M.
Sipas studimit, një person mund të gëlltisë rreth 50 gramë mikroplastika në vit vetëm nga pllakat plastike, por ky nivel nuk shihet si rrezik i madh për shëndetin.
“Studimi nuk tregoi ndonjë efekt toksik, gjë që është një shenjë pozitive”, ka thënë Hoaran Wei, profesor në Universitetin Wisconsin-Madison, duke shtuar se nevojiten më shumë kërkime.
Nëse dikush dëshiron t’i shmangë mikroplastikat, ekspertët rekomandojnë të përdoren pllaka alternative prej druri, silikoni ose materialesh kompozite, të cilat janë më të sigurta dhe më të buta për thikat.
Alternativat më të mira se pllakat e plastikës:
Dërrasa nga druri
Profesoresha Tracy Zimmermann, ka thënë se dërrasat nga druri “janë standard i artë”, duke shtuar se janë shumë cilësore, dhe nëse përdoruesit kujdesen mirë për to, janë edhe afatgjate.
Mili Godio nga NBC Select ka shtuar se ka gjashtë vjet që e përdor çdo ditë një dërrasë të tillë dhe duket ende si e re.
Dërrasa nga silikoni
Këto dërrasa po konsiderohen shumë praktike pasi mund të lakohen për të derdhur lehtë ushqimin në tigan.
“Janë të lira, lahen në enëlarëse dhe rezistojnë deri në 250°C”, ka shpjeguar Zimmermann.