Nuk është në pyetje vetëm Ukraina. Putini po mundohet ta kthejë famën e ish-Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), shkruan “Kosovarja”.
Në dërgesën me shkrim që i dërgoi Rusia SHBA-ve, ka kërkuar demilitarizimin e shteteve baltike nga ushtarët e NATO-s.
Ukraina është vetëm një pretekst që Rusia ta rikthejë primatin e fuqisë kundrejt NATO-s.
Rusia synon ta rikthejë superfuqinë ndaj të gjitha ish-shteteve të bllokut të Paktit të Varshavës, edhe pse gjeopolitika, pas më shumë se 30 vjetësh, ka ndryshuar rrënjësisht, që nga data 9 nëntor 1989, kur ra zyrtarisht Muri i Berlinit, datë në të cilën u shua Traktati i Varshavës.
Rusia, atëbotë, që udhëhiqej nga Mihajl Gorbaçovi, kishte rënë ekonomikisht përtokë, gjë që nuk kishte fuqi ta parandalonte rrëzimin e Murit të Berlinit në Gjermaninë Lindore.
Sidoqoftë, ardhja e Putinit në krye të Rusisë e forcoi ekonominë ruse me “Gazpromin”, me çka Rusia ka nisur disa aventura të rrezikshme paralajmëruese për pushtim.
Në vitin 2014 Rusia pushtoi Krimenë e Ukrainës dhe tani po përgatit sulm për pushtimin e saj të plotë.
Ukraina, një shtet i madh me rreth 50 milionë banorë, është territori i parë që do e sulmojë Rusia, e pastaj synimet e saj shkojnë deri te zgjerimi i paralajmëruar, nëse lejohet aventura e saj.
Arsyetimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia është i natyrës së pajustifikueshme:
Rusia kërkon garanci nga NATO të mos e anëtarësojë Ukrainën në këtë strukturë veri-atlantike.
Rusia nuk do që NATO-ja të jetë në kufirin e Rusisë, prandaj me këtë pretekst do e sulmojë Ukrainën.
Sidoqoftë, NATO ka fuqi adekuate ta ndihmojë Ukrainën nga pushtimi rus, andaj shumë shtete të fuqishme i kanë dërguar armatim ushtarak Ukrainës.
Dhe, analizuar në hollësi, Rusia do e sulmojë Ukrainën herët a vonë. Këtë e dëshmojnë edhe forcat e saj të grumbulluara në kufi me Ukrainën.
Analizat ushtarake nxjerrin statistika të tmerrshme nga sulmi i mundshëm i Rusisë në Ukrainë, duke paraparë, të paktën, një milion ukrainas do të vriteshin, karshi mijëra ushtarëve rusë…
E, pas një intervenimi të mundshëm, Evropa, pa dyshim, do ballafaqohet me miliona refugjatë ukrainas që do të kërkojnë shpëtim në vende të tjera jashtë Ukrainës. Safet Krivaça /Kosovarja/