fbpx

A është Asociacioni i Komunave Serbe parakusht për arritjen e marrëveshjes finale, flet Escobar

nga Revista Kosovarja

Diplomati amerikan, Gabriel Escobar ka folur rreth marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Escobar thotë se deri më tani, çdo fjalë e marrëveshjeve është shkruar nga Serbia dhe Kosova, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-ja.

Escobar shton faktin se Evropa do të nisë të kontribuojë në atë se si duhet të duket kjo marrëveshje, por SHBA-të jo.

“Pozicioni ynë është që marrëveshja finale duhet të jetë një udhërrëfyes për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Elementet e një marrëveshje të tillë varen nga vetë palët. Deri më tash, çdo fjalë e marrëveshjeve është shkruar nga Serbia dhe Kosova, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-ja. Është shumë e mundshme që Evropa do të nisë të kontribuojë në atë se si duhet të duket kjo marrëveshje. Ne nuk do ta bëjmë këtë, por do ta përkrahim plotësisht dhe do të sigurohemi që çkado që del nga kjo nuk do të prekë pavarësinë, sovranitetin dhe funksionalitetin e pavarësisë së Kosovës”, tha Escobar.

Sipas Escobarit, arsyeja kryesore që SHBA-të nuk do të kontribojnë është sepse i përket Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të duket e ardhmja e marrëdhënieve të tyre.

“I përket Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të duket e ardhmja e marrëdhënieve të tyre – me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Duhet të jetë një proces që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian. Ju jeni në Evropë dhe aspiratat e të dyja vendeve janë që të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Dhe, kur ky proces të përfundojë do të hapë për ju mundësi më të mira ekonomike dhe të ardhme më të mirë politike. Prandaj, ne e mbështesim plotësisht këtë.Por, ne mbështesim edhe inkuadrimin e plotë të Kosovës në struktruat euro-atlantike, ku kemi zë. Por, për tani është e rëndësishme që të fokusohemi në dialog”, tha Escobar në Kanal10.

Gabriel Escobar ka zbuluar se ka folur sot me Presidenten Vjosa Osmani për modelet e Asociacionit.Escobar ka thënë se ajo çka është më e rëndësishmja për Asociacionin, është që ai t’u përshtatet ligjeve të Kosovës.

“Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën. Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës. Por, duke thënë këtë ka shumë, shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë,që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po – do të donim ta shihnim duke u zbatuar”, shtoi Escobar.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]