Qeveria Kurti është zhytur në probleme, prej të cilave asnjëri nuk është i lehtë për t’u kaluar, shkruan “Kosovarja”.
Ndër problemet më të ndjeshme është Asociacioni, për të cilën ka një marrëveshje të karakterit ndërkombëtar BE-Kosovë, në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
As Hashim Thaçi e as Isa Mustafa nuk e kishin vënë në funksion Asociacionin, i cili ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.
E Kurti, nëse e formon Asociacionin, do e humbë shumë përkrahjen elektorale. E, nëse nuk e pranon, do e humbë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Anëtarë të VV-së, nga pozitat institucionale, tash po flasin se qeveria Kurti nuk mund t’i kthehet demarkacionit me Malin e Zi e as Asociacionit, që ishin premtime të liderit të VV-së se kur të vjen në pushtet do t’i rihapë këto probleme.
Dhe, në vend të zgjidhjeve të problemeve, Albin Kurti po mundohet të qëndrojë përballë opozitës, duke i sulmuar për korrupsion!
Sulmi taktik i Kurtit, që sa herë flet Ramush Haradinaj në Kuvend, ia përmend 200 hektarët e tokës së privatizuar në proces transparent legjislativ, nuk i mbulon dështimet e qeverisë Kurti.
Ndërkaq, Kurti sikur harron se Ramush Haradinaj ka dhënë një pjesë të familjes për të qenë Kurti kryeministër. Se Ramush Haradinaj ka dhënë 4 hektarë tokë për varreza afër shtëpisë së tij etj.
Andaj, nuk është mirë të pret Kurti t’i tregohet se kush çka ka dhënë për Kosovë…
Dihet çka ka dhënë Ramushi, si dhe çka ka dhënë gjithsecili që sot është në poste…
Pagat, sindikatat, humbjet në zgjedhjet lokale…
Qeveria Kurti e ka shtrenjtuar koston e energjisë elektrike për qytetarët, ndërkohë derdhë miliona euro për serbët e veriut!
Listën e zezë të SHBA-ve për Veselinoviqët, ku është Lista Serbe dhe Vuçiçi, nuk duhet marrë si arsyetim për ndonjë sukses personal e as për dërgimin e Policisë Speciale në veri.
Megjithatë, tash Kurti e ka një mundësi të mirë që ta shfrytëzojë në Bruksel kualifikimin amerikan për grupet kriminale serbe në veri, të lidhura me vëllanë e presidentit të Serbisë dhe me vetë Vuçiçin.
Por, nëse flasim për standardin në Kosovë, e që ai ka rënë për 30%, Kurti nuk e ka komoditetin moral e as qeveritar t’i atakojë sindikatat me akuza si PAN-ista, sepse të gjithë sindikalistët kanë familje e familjarë që do të votojnë një ditë, duke i vënë në peshojë fjalët e tij…
Shkurt e shqip: Kurti, e që para ardhjes në pushtet fliste se popullit do ia bëjë jetën parajsë, është kthyer kundër popullit!
Pagat, le që janë shumë të ulëta karshi standardit, por edhe më të ulëta janë fjalët e kryeministrit kur thotë se “rritja e pagave është e pakuptimtë!”.
Andaj, dita-ditës Kurti po bën kundërshtarë. Prandaj, nuk është befasi që sot, kur flasim me disa VV-ista, të njëjtit më nuk flasin si dikur për Kurtin, e as nuk rrahin gjoks, por e shohin veten se kanë qenë të gufuar nga euforia momentale… Safet Krivaça /Kosovarja/