Ndërsa është e lehtë të ndihesh i sigurt në një marrëdhënie kur gjithçka shkon mirë, psikologu Mark Travers pohon se forca e vërtetë e një lidhjeje zbulohet kur jeta bëhet sfiduese – në momente stresi, lodhjeje ose pasigurie emocionale.
Në një artikull për “Psychology Today”, Travers shpjegon se marrëdhëniet e vërteta nuk ndërtohen vetëm mbi dashurinë gjatë ditëve të bukura, por mbi përkushtimin dhe praninë gjatë ditëve të vështira.
Ai ndan tri shenja që tregojnë nëse një partner është vërtet besnik dhe emocionalisht i disponueshëm kur ne kemi më shumë nevojë për të:
Ata qëndrojnë të qetë edhe kur ju nuk jeni
Një partner i vërtetë nuk reagon me nervozizëm apo distancë kur jeni të mbingarkuar emocionalisht. Përkundrazi, ai qëndron i pranishëm dhe i qetë, duke ofruar një strehë emocionale që ju ndihmon të rikuperoheni.
Ata nuk ju thonë ‘qetësohu’, por ‘jam këtu’
Ata nuk e shohin dhimbjen tuaj si bezdi
Dallimi mes pranisë fizike dhe asaj emocionale është thelbësor. Partnerët e sinqertë nuk mbështesin nga detyrimi, por me dhembshuri dhe durim.
Në vend që të tregojnë padurim, ata ju lënë hapësirë dhe kohë, duke e bërë të qartë se janë aty për ju pa kushte.
Ata ruajnë dinjitetin tuaj edhe në momentet më të vështira
Në kohë të vështira, kur jemi të lodhur, të stresuar apo të trishtuar, mund të mos jemi versioni ynë më i mirë. Partnerët që e kuptojnë këtë nuk kritikojnë, nuk poshtërojnë dhe nuk i përdorin gabimet kundër jush.
Ata tregojnë butësi dhe respekt, duke bërë që të ndiheni të dashur edhe kur nuk jeni të përsosur.
Travers thekson se dashuria e qëndrueshme nuk matet në ditët e mira, por në mënyrën se si partneri qëndron pranë në ditët më të vështira – pa gjykim, me durim dhe me zemër të hapur.