Ministri i Shëndetësisë, juristi Armend Zemaj, në vazhdimësi ka thënë , se, gjendja me pandeminë Covid-19 në Kosovë është nën kontroll.
Këtë konstatim ai e ka bërë edhe dje, kur tha se “e kemi nën kontroll pandeminë”. Ndryshe nga ministri Zemaj e tha mikrobiologu Lul Raka, i cili u deklarua në disfavor të mbajtjes së dasmave dhe tubimeve të këtij karakteri. “ Mendimi im personal dhe profesional është se, as nuk ka çka të diskutohet me këto numra për dasma”, ka thënë Lul Raka, i cili e sheh rrezikun tepër të madh të eskalimit të situatës me pandeminë Covid- 19.
Aktualisht në Kosovë janë 1250 raste aktive me covid-19 dhe dikund 1700 të shëruar.
Në QKUK, ka qarkulluar një foto e një infermiereje, e cila pushonte në korridor të infektivës dhe kjo pamje mahnitëse, jep të kuptosh se edhe pak ditë e në QKUK, nuk do të ketë vende për të prekurit nga koronavirusi.
Edhe apeli i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti pardje shkonte në favor të qytetarëve që të kenë kujdes me Covid-19 , ngase nuk do të ketë shtretër për hospitalizim të pacientëve. Në Kosovë ekziston një diskrepancë serioze në mes stafit ministrorë të shëndetësisë dhe profesionistëve klinikal. Zemaj thotë, e kemi nën kontroll, gjendja reale është se kapacitetet e infektives me pacientë janë plotësuar deri në fund.
Çka tutje?
Gjendja alarmante nuk është në favor të popullatës .Trajtimi i pandemisë duhet të jetë serioz dhe ministri Zemaj, është mirë që vendimet rreth këtij problemi tua kalojë profesionistëve të IKSHP-së.
Përkundër respektit , Zemaj nuk është profesionist shëndetësor,prandaj nuk duhet interferuar në gjërat e që rrezikojnë popullatën. Nuk do të ketë shtretër. Nuk do të ketë mostra. Nuk do të ketë aparatura. Nuk do të ketë reagenca. Nuk do të ketë as staf profesional për trajtime të pacientëve të infektuar.
Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria, mbajnë përgjegjësinë për rritjen enorme të të prekurve me Covid- 19, nëse nuk ndryshojnë masat që parandalojnë tubimet, kafenetë dhe hapësirat e caktuara sikur ajo e protestave të VV-së pas të cilave rrodhën infeksionet. Popullata gjithashtu e mbanë përgjegjësinë për mosrespektim të masave parandaluese. Nëse kështu vazhdon trendi i infektimit, në vitin e ri shkollor që nis në shtator me kalendar dhe në tetor për fakultete, vështirë se do mund të vazhdohet mësimi dhe studimet.
Covid –19 e ka përfshirë Kosovën dhe më nuk ka logjikë as shije që ministri Zemaj të thotë se pandemia është nën kontroll.
Pandemia me koronavirusin, në Kosovë është jashtë kontrollit. S’do mend , se për ta vënë nën kontroll duhet një lloj izolimi të paktën njëmujor brenda të cilit të vihen nën kontroll dy breza të të infektuarve që mund të jep shpresa për kontroll të pandemisë në Kosovë.
Përveç të gjitha fakteve që po del nga kontrolli pandemia, aktualisht është e mbyllur edhe Ministria e Pushtetit Lokal që udhëhiqet nga Goran Rakiq, e nëse kështu shkojnë gjërat, nuk do të befasohemi nëse shumë institucione mund ta kenë fatin e njëjtë .Pra të mbyllen me dry. Safet Krivaca/ Kosovarja/