fbpx

A harrohet burri i madh i Kosovës prof. Zekeria Cana?

nga Revista Kosovarja

Janar i këtij motmoti. Çuditërisht, janari është muaji në të cilin kanë vdekur njerëzit, personalitete të mëdha të kombit tonë, të historisë sonë…

Disa prej personaliteteve që kanë lënë gjurmë të thella me vlerë, qoftë në atë publicistike, letrare, shkencore, por edhe që e flijuan veten, derdhën gjakun për këtë tokë, për këtë komb, për këtë Kosovë, për lirinë e popullit të saj, përkujtohen në disa mediume apo edhe me ndonjë akademi përkujtimore.
Por, në këto raste, të shkon në mendje pyetja: Pse në gjithë këto kujtime e përkujtime disa emra të njohur nuk përkujtohen fare?
Madje, as në përvjetorët e tyre të vdekjes! Kalojnë në heshtje, pa asnjë lajm, pa asnjë jehonë, siç u bëhet disa të tjerëve…  
Dhe, mendja më shkon te Zekeria Cana.
10 janar i këtij motmoti.
Shfletoj faqet e portaleve tona të kësaj dite. Asnjë fjalë për prof. Zekeria Canën në shenjë përkujtimi. Në mbrëmje përcjell edhe ekranet televizive, lajmet… As ato asnjë fjalë për profesorin e nderuar, burrin e madh të Kosovës.
Madje, nuk e kujtojnë as shokët, as kolegët e vet, të Institutit Albanologjik, ku punoi e veproi shumë vjet!
Virtytet e prof. Canës do të kujtohen dhe do të nderohen përherë nga qytetarët e Kosovës, për lirinë e të cilëve i shkoi e gjithë jeta – thoshin pushtetarët në telegrame ngushëllimi ato ditë kur ai vdiq.


Por, nga ato ditë e sot, prof. Cana sikur u harrua… U harrua njeriu i cili në dy dekadat e fundit të shekullit XX qe bërë simbol i rezistencës ndaj dhunës, përndjekjeve, tmerreve dhe vrasjeve të shqiptarëve.
Pra, a nuk është turp të mos kujtohet ky vigan i historisë shqiptare, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për popullin e Kosovës?


Ai, kush tjetër e meriton të përkujtohet?
Ai, i cili ishte në ballë demonstratave kundër pushtetit serb, në ballë të skenave për Pajtimin e Gjaqeve krah Anton Çettës, as në konferencat e shtypit krah Ibrahim Rugovës, e as për 39 burgosjet e tij…


Përgjatë shoqërimit me të, goxha kohë, meqë e kisha edhe bashkëpunëtor të Revistës, derisa i shkruaj këta pak rreshta, seç më kujtohen fjalët e tij, kuptimplote, të cilat vlen të mbetën edhe si thënie nga përvoja e tij jetësore:
“Në dhimbje të vjen miku, në gëzime të njohurit, kurse në vdekjen tënde vijnë edhe armiqtë”.
Këto fjalë të tij thuajse tregojnë edhe testamentin që e kishte lënë për një ceremoni modeste të varrimit, pa fjalime e pa ceremoni fetare…

Nuk duhet harruar…
Ju kujtojmë se si rezultat i përballjeve të shpeshta me forcat policore serbe, profesori, në mesin e popullatës, ishte bërë sinonim heroizmi e qëndrese heroike me guximin e trimërinë e rrallë.
Profesor Cana ishte ndër të parët që ngriti zërin kundër vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në ish- Armatën Jugosllave, duke hequr të gjitha maskat e terrorit ushtarak serbosllav ndaj shqiptarëve.
Thuajse të gjithë ata të rinj shqiptarë të vrarë nga ish-Armata jugosllave i varrosi me dorën e tij, në tokën gjithandej Kosovës.


Në momente të vështira u gjet edhe pranë familjes Jashari në Prekaz. Ai me dorën e tij e varrosi edhe Adem Jasharin bashkë me familjarët e tij dhe të tjerët nga masakra makabër, e një sakrifice unike në botë.
Profesori qëndroi besnik dhe ndau fatin me popullatën e pambrojtur edhe gjatë bombardimeve të NATO-s.
Edhe përkundër rreziqeve të mëdha e të shumta, çlirimin e Kosovës e priti në shtëpinë e vet…
Pas çlirimit kontribuoi në konsolidimin e shtetit të Kosovës, por asnjëherë me synime për poste…
U largua nga kjo botë, para 14 vitesh, ashtu siç largohen njerëzit e mëdhenj, me virtyte të larta njerëzore e patriotike.
Ndjehem shumë i privilegjuar që kam pasur fatin të shoqërohem me të, në terren dhe gati në çdo cep të Kosovës.
Të shumtat biseda e përjetime me të i kam përmbledhur në librin “Madhështia dhe tragjika”, të cilin e kam botuar sa profa ishte gjallë.
Andaj, është e çuditshme se si ky njeri kolosal ka mbetur një nga figurat më të anashkaluara nga harresa institucionale, mediale dhe shoqërore e popullit tonë!
Dhe, në fund, a nuk e meriton i madhi Zekeria Cana ta ketë një shtatore krah bashkudhëtarit të tij – Anton Çettës?

Gani Dili

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]