Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar sot aktgjykimin e plotë lidhur me vendimin për çështjen e legjitimitetit të Qeverisë së Kosovës, udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Pas këtij vendimi të plotë, tashmë i është hapur rruga ushtrues detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, për ta shpërbërë Kuvendin dhe të shpallë datën e zgjedhjeve brenda 40 ditësh.
I njëjti vendim, sqaron edhe çështjen më të diskutuar, ndalesa e kandidimit për deputet për të dënuarit.
Në këtë mënyrë, edhe kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, nuk mund t’i hyjë garës në zgjedhje në listën e deputetëve.
Vendimi thotë se ”në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetutës.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar vitit 2018 kishte shpallur fajtorë katër deputetët e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për dy veprat penale, atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.
Albin Kurti ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse për veprën penale të pengimit të personit zyrtar është dënuar me gjashtë muaj burgim.
Ndaj tij, është shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht./klankosova