fbpx

A mund ta rikthejë rritja e rasteve karantinën e orën policore? Flasin nga Ministria e Shëndetësisë

nga Revista Kosovarja

Kanë kaluar mbi dy vite që nga koha kur në Kosovë u konfirmuan rastet e para të të infektuarve me virusin COVID-19.

Si pasojë e këtij virusi kanë humbur jetën shumë persona, teksa numër i madh i qytetarëve u përballën me probleme të shumta shëndetësore si pasojë e infektimit me këtë virus.

Anipse muajve të fundit numri i të infektuarve pati rënie drastike, tanimë situata duket se ka ndryshuar.

Aktualisht, numri i rasteve aktive ka arritur në mbi 300.

Lidhur me këtë situatë, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë nga ku është theksuar se rritja e rasteve me koronavirus është duke u vërejtur.

Por sipas MSH-së, kjo nuk është alarmuese por se gjithsesi duhet të vazhdojë vaksinimi, për të gjithë ata që deri tani s’e kanë bërë.

“Rritja është duke u vërejtur, nuk është për të bërë alarm, por gjithsesi për të pasur më shumë kujdes dhe për t’u vaksinuar ata që s’e kanë bërë ende këtë”, u tha në përgjigjen e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Të pyetur nëse si pasojë e rritjes së rasteve me COVID-19 në Kosovë mund të ketë sërish mbyllje, apo karantinim sipas MSH-së, variantet e fundit të koronavirusit ishin më të lehta dhe në vend të mbylljeve apo masave drastike, vendet i kanë dhënë përparësi vaksinimit.

“Tash për tash masat e datës 30 prill 2022 mbesin në fuqi, ndërsa nëse ka nevojë për ndonjë ndryshim të tyre, me këtë do të merret Komiteti për vlerësim dhe koordinim të situatës me COVID-19 dhe Komiteti këshillëdhënës për COVID-19, e që i jep rekomandime ministrit nëse ka nevojë për masat tjera apo jo”, u tha nga MSH.

Po ashtu sipas MSH-së qytetarët duhet të vazhdojnë kujdesin dhe respektimin e masave aktuale.

“Variantet e fundit të SARS COV 2, kanë qenë më të lehta dhe në vend të mbylljes apo masave drastike, vendet i kanë dhënë përparësi vaksinimit dhe ndërgjegjësimit të publikut për rritje të kujdesit dhe respektim të atyre masave që janë në fuqi”.

Lidhur me mundësinë e shpërndarjes edhe më të madhe të varianteve të fundit të këtij virusi, nga Ministria e Shëndetësisë u tha se është vështirë të përcaktohet intensitetit i shpërndarjes.

“Është vështirë për t’u përcaktuar intensiteti i shpërndarjes, por ajo që është dominuese në variantet e fundit të SARS 2 është se në aspektin e manifestimit klinik, rastet kanë qenë më të lehta dhe ka pasur më pak spitalizime”.

Ndryshe tani për tani në Klinikën Infektive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë vetëm katër pacientë të shtrirë si pasojë e këtij virusi.

Mbyllja e vendit në kohë pandemie pati shfaqur probleme të tjera në vend. Si pasojë e mbylljes qytetarët për shumë kohë të gjatë janë përballur me ekonomi të ngecur, e çmime të papërballueshme.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, një javë më parë deklaroi se rritja e rasteve mund të kthejë mundësinë e masave të reja antiCOVID.

Kësisoj ministri ka porositur qytetarët për vaksinim.

Në 24 orët e fundit në vend janë konfirmuar edhe 64 raste të reja me koronavirus, kurse vaksinimi vazhdon të jetë tejet i ulët.

Numri aktual i dozave të administruara në Kosovë janë 1.839.463 vaksina.

Kurse me dozën e parë janë vaksinuar 903.412 persona, me dozën e dytë 823.696 ndërsa me dozë të tretë gjithsej 103.167.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]