Gjatë muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë nuk hanë dhe nuk pinë nga lindja e Diellit deri në perëndim të tij.
Familjet dhe miqtë shpesh mblidhen bashkë për të prishur agjërimin.
Shumë prej 1.8 miliard myslimanëve të botës i frekuentojnë edhe xhamitë më shpesh.
Por, kriza me coronavirus këtë vit ka ndryshuar gjithçka.
Sëmundja, që ka infektuar mbi 2.8 milionë njerëz dhe ka vrarë mbi 200,000 deri më 25 prill, ka rritur frikën se agjërimi mund të paraqesë rrezik shëndetësor, duke dobësuar imunitetin e njerëzve dhe duke i bërë ata më të cenueshëm ndaj marrjes së virusit.
Mbledhjet e shpeshta të familjarëve dhe miqve gjatë Ramazanit kanë ngjallur po ashtu shqetësime për më shumë të infektuar.
Atëherë, a është agjërimi i këshillueshëm gjatë pandemisë?
“Nëse jeni të shëndetshëm dhe keni agjëruar më parë pa ndonjë problem, nuk ka asnjë provë që sugjeron se nuk mund të agjëroni edhe këtë herë, nëse dëshironi”, thotë për Radion Evropa e Lirë dr Salman Waqar, nga Universiteti i Oksfordit.
Waqar është anëtar i Shoqatës Mjekësore Islamike në Britaninë e Madhe, e cila ka publikuar udhëzime për agjërim gjatë pandemisë së coronavirusit.
“Në shumicën e rasteve, njerëzit që janë me shëndet të mirë dhe kanë agjëruar më herët, duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë edhe gjatë pandemisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë dr Shafi Malik, nefrolog transplantimi në Spitalet Universitare Coventry & Warwickshire, në Britani.
Sipas tij, ata që kanë sëmundje kronike, duhet të konsultohen me mjekun dhe ta ndërpresin agjërimin, nëse këshillohen ta bëjnë një gjë të tillë.
Sipas Kuranit, fëmijët, të moshuarit, të sëmurët dhe ata që udhëtojnë, janë të përjashtuar nga agjërimi i Ramazanit – njërës prej pesë shtyllave të Islamit.